Andia Ulliri humb edhe në KAS betejën për të marrë mandatin e deputetes, mbetet në fuqi vendimi i KQZ-së

30/07/2025 13:55

Andia Ulliri humbi edhe në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve betejën e saj për të qëndruar në Kuvendin e Shqipërisë edhe për katër vitet e ardhshme.

Demokratja pretendoi se mandatin e deputetes e fitonte në bazë të kuotës ligjore, por KAS ia rrëzoi kërkesën.

Mandati në Durrës i takon kandidates Ulliri, pasi nga 5 fituesit e listës së mbyllur aty gjendet vetëm një grua dhe sipas kuotës 30%, emri i radhës, pra Ullirit“, argumentoi përfaqësuesi ligjor, Indrit Sefa.

Kodi thotë që kandidatët rirenditen vetëm ata të listës me votim parapëlqyes, kur nëse dy të parët janë burra, i treti është grua. Ose kur dy të parët që kanë marrë vota parapëlqyese janë gra, i treti është burrë. E ka të qartë ligji këtë. Kandidatët e listës shumë-emërore që i nënshtrohet votimit parapëlqyes, rirenditen në bazë të numrit më të lartë të votave parapëlqyese“, shpjeguan përfaqësuesit e KQZ-së, ndërsa në fund të shqyrtimit të çështjes, KAS la në fuqi KQZ-së.

Në mbledhjen e kaluar të KQZ-së, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi i rrëzoi pretendimet e kandidates dhe mandatin ia dha Arjan Ndojës, teksa miratoi shpërndarjen e mandateve për qarkun Durrës.

Tashmë, Ulliri mund ta çoja çështjen në Kolegjin Zgjedhor.

Top Channel