Fiks Fare/ U trafikua për prostitucion, dhuna dhe traumat e çuan në skizofreni! Nëna apel për drejtësi: Trafikuesit që ma çmendën vajzën janë të lirë

29/07/2025 20:48

Emisionin Fiks Fare solli rastin e Linditës, një nënë 55-vjeçare nga Fieri, e cila rrëfen historinë dramatike të vajzës së saj, tashmë 29 vjeç.

Sipas Linditës, vajza u trafikua në moshën 20-vjeçare drejt Italisë, ku nisi kalvari i dhimbjes, abuzimit dhe shkatërrimit mendor.

Në vitin 2016,Lindita tregon se pas ndarjes nga bashkëshorti për shkak të dhunës, e bija u largua drejt Italisë, duke lënë pas djalin e saj të vogël. Nëna e shqetësuar denoncoi rastin në Policinë e Fierit, por iu tha se vajza ishte madhore dhe nuk mund të ndërhynin. Vetëm përmes sistemit TIMS, Lindita mësoi se vajza ishte nisur nga Vlora për në Itali.

Një vit më pas, e bija e telefonoi dhe tha se po punonte si kujdestare, por fotot e saj tregonin të kundërtën.Në fotot që ajo I kishte dërguar të ëmës dukej që vajza ishte punonjëse seksi, madje vajza ia pranoi këtë.

Shëndeti mendor i vajzës sipas nënës deri në moshën 20 vjeçare ishte në rregull, por situata u përkeqësua kur u zhvendos në Belgjikë dhe më pas në Zvicër. Gjatë dy viteve në Belgjikë, sipas Linditës, e bija u dhunua.

Në Zvicër,ajo thotë se vajza ishte gjendur në rrugë, në gjendje kome dhe e mbuluar me gjak. U dërgua në spital dhe më pas në një qendër për gratë e dhunuara. Nëna e saj u kontaktua nga një kuzhinier në atë qendër, i cili e informoi për gjendjen e rëndë të vajzës.

Pas disa muajsh, vajza vjen në Shqipëri në një tjetër qendër këtë herë në Linz. Punonjësia i komunikoi Linditës se e bija ndodhej aty. Pas një muaji,vajzën ia sollën në shtëpi me ambulancë, në një gjendje të rënduar dhe agresive.

Më pas,
ajo u shtrua për dy muaj në spitalin Psikiatrik të Vlorës dhe u diagnostikua me “skizofreni të çrregullt”, që kërkon trajtim të përhershëm.

Sipas Linditës, ilaçet nuk gjenden në Fier dhe ajo detyrohet t’i porosisë nga Greqia, me kosto të lartë. Vajza shpesh refuzon t’i marrë dhe është bërë edhe e dhunshme me të ëmën.

Në këtë betejë të vazhdueshme, Lindita kujdeset edhe për djalin tjetër, i cili është i sëmurë që prej moshës 6-vjeçare. Në kushte ekstreme ekonomike, ajo jeton me qira dhe mbledh bidonë për të mbijetuar. Ermira, në një intervistë rrëqethëse për “Fiks Fare”, shfaq trauma të thella psikologjike.

Flet me pafajësinë e një fëmije, thotë se ka frikë se mos e marrin sërish jashtë, tregon se ndihet e kërcënuar. Ajo pranon se ka qenë prostitutë, duke thënë se e bëri sepse “mendonte se po ndihmonte njerëzit”.

Nëna e saj kërkon me dëshpërim drejtësi: të hapen hetimet, të zbardhen të vërtetat dhe vajza të dërgohet në qendrën e rehabilitimit në Shkodër. Njësia Administrative në Fier i ka premtuar se do të përpiqen ta ndihmojnë.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel