“Obama nuk ka lindur në SHBA”, Bin Laden “gjallë” dhe “ari i zhdukur”/ Të gjitha teoritë konspirative të Trump që tani e përndjekin

28/07/2025 11:55

Në vitin 1964, historiani amerikan Richard Hofstadter shkroi një ese të famshme në revistën Harper’s Magazine me titull Stili Paranojak në Politikën Amerikane.

Në të, ai argumentonte se një kombinim i “teprimit të zjarrtë, dyshimit dhe fantazisë konspirative” ka qenë gjithmonë i pranishëm në jetën publike amerikane,nga aktivitetet e supozuara subversive të Illuminatëve të Bavarisë në fund të shekullit XVIII, deri tek Makkartizmi i viteve pesëdhjetë.

Sfida ndaj elitave

Dhe në të vërtetë, teoritë e konspiracionit kanë pasur një vend të rëndësishëm në historinë dhe imagjinatën e Amerikës që nga fillesat, si një dëshmi e një sfide të përhershme ndaj elitave politike, mediatike dhe gjyqësore që përshkojnë shoqërinë amerikane. 65% e amerikanëve besojnë se vrasja e John F. Kennedy ishte fryt i një komploti dhe se dikush tjetër, përveç Lee H. Oswald-it ose bashkë me të, vrau Presidentin. Ndërsa përqindje të konsiderueshme besojnë se zbritja në Hënë ishte një inskenim në një studio të Hollywood-it; se sulmet e 11 shtatorit ishin një “punë e brendshme” e organizuar nga shteti dhe se qeveria ka fshehur provat për vizitat e jashtëtokësorëve në Roswell të New Mexico-s.

Në këtë kontekst futet edhe rasti Epstein, miliarderi mik i Donald Trump, që vetëvra në vitin 2019 ndërsa ishte në burg i akuzuar për abuzime seksuale dhe trafik të të miturve. Rasti Epstein është pjesë e plotë e këtij tregimi, i cili është bipartizan, që do të thotë se prek si republikanët ashtu edhe demokratët. Uashingtoni sot është plot me teori konspirative, intriga dhe dyshime që qarkullojnë mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit, duke përmbytur ciklin e lajmeve në televizione dhe gazeta dhe duke u përhapur masivisht në rrjete sociale.

Kush guxoi të përmendte emrin e Trump në atë dosje? Ç’lidhje kanë Barack Obama, Hillary Clinton apo Joe Biden, i cili sipas zërave firmoste dekretet me stilolapsin automatik sepse ishte shumë i plakur?

Një dallim thelbësor

Ka një dallim thelbësor, megjithatë, me të kaluarën: presidentët, në përgjithësi, jo vetëm që nuk ishin burim i teorive të tilla, por përpiqeshin t’i hidhnin poshtë për të mbrojtur dinjitetin e zyrës dhe për të forcuar besimin në institucione. Lyndon Johnson, për shembull, në vitin 1964 krijoi Komisionin Warren për të përgënjeshtruar zërat për vrasjen e Kennedy-t, edhe pse pa sukses.

Karburanti

Por, në rastin e Donald Trump, komploti ka qenë si lëndë ushqyese dhe karburant për ngjitjen e tij politike. Që në vitin 2008, gjatë fushatës së parë të Barack Obamës, ai e përforcoi dhe ndihmoi në përhapjen e gënjeshtrës së “birther”-ëve, sipas të cilës Obama nuk ishte lindur në SHBA. As publikimi i certifikatës së plotë të lindjes së Obamës në vitin 2011 nuk e ndali plotësisht këtë shpifje. Po atë vit, Trump pretendoi se Osama bin Laden nuk ishte vrarë kurrë dhe madje akuzoi Obamën dhe Bidenin se kishin urdhëruar vrasjen e skuadrës së Navy SEAL që kreu operacionin, për të mos lejuar që ata ta zbulonin të vërtetën.

Më vonë, kur hyri në politikë, Trump nuk hezitoi të përdorte teoritë konspirative për të sulmuar kundërshtarët e tij, madje edhe brenda partisë së vet. Në vitin 2016 ai aludoi se babai i senatorit Ted Cruz (kundërshtar në primaret republikane) kishte qenë i përfshirë në vrasjen e Kennedy-t, duke treguar një foto ku babai i Cruz-it shfaqej me Oswald-in. Ishte një gënjeshtër, natyrisht, e ndërtuar për të dëmtuar Cruz-in, siç pranoi më pas një gazetar i National Enquirer, mik i vjetër i Trump.

Në Shtëpinë e Bardhë

Problemi është se as përgjegjësia e zyrës së presidentit nuk e ndaloi Trump-in nga përhapja e teorive të çuditshme dhe të rreme, pavarësisht se ai vetë drejtonte qeverinë që shumë nga këto teori e akuzonin si orkestruese të fshehtë. Përveç gënjeshtrës se zgjedhjet e vitit 2020 ishin manipuluar në favor të Joe Biden-it, një tjetër ishte pretendimi se rezervat e arit të vendit nuk ndodheshin më në Fort Knox, Kentucky, ku supozohet të ruhen. “Do të isha shumë i zemëruar nëse nuk janë më aty”, tha Trump disa muaj më parë, sikur të mos kishte vetë mundësi ta dinte. Ky dyshim ishte aq i rëndë dhe potencialisht shkatërrues për tregjet sa që ministri i Thesarit, Scott Bessent, u detyrua të deklaronte: “Ari nuk është vjedhur”.

Por rasti Epstein rrezikon ta zbulojë Trump-in si një nxënës magjistar që nuk është më në gjendje të kontrollojë forcat që vetë ka thirrur. Përpjekjet për të devijuar vëmendjen, përmes drejtoreshës së bindur të inteligjencës, Tulsi Gabbard, nuk ndihmuan shumë: që nga akuza ndaj Obamës për dirigjimin e hetimeve mbi ndërhyrjen ruse në fushatën e vitit 2016, deri tek zërat se në atë periudhë Hillary Clinton ishte gjithmonë e droguar me një “regjim të rëndë qetësuesish”.

Por, tema Epstein nuk po largohet. Emri i Trump është në dosje. Populli MAGA (Make America Great Again) do të dijë më shumë. Dhe kur përqafohen teoritë konspirative, është e pamundur të ndash ato që të leverdisin nga ato që më mirë do të doje t’i shmangje./ Paolo Valentino- Corriere della Sera

Top Channel