
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka mohuar raportet për mungesë ushqimi në Gaza, duke thënë se nuk ka një problem të tillë dhe duke akuzuar Hamasin për vjedhjen e ndihmës humanitare.
“Nuk ka uri në Rripin e Gazës”, tha Netanyahu, duke hedhur poshtë thirrjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund bllokadës dhe raportet për një zi buke. Sipas ERT, kryeministri izraelit foli për Gazën gjatë një eventi në Jerusalem. Kreu i Zyrës së Besimit në Shtëpinë e Bardhë ishte gjithashtu i pranishëm.
Benjamin Netanyahu përsëriti pretendimin se Hamasi “vjedh ndihmën humanitare dhe më pas akuzon Izraelin se nuk e ofron atë”. Në të njëjtën kohë, ai u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara “të ndalojnë së justifikuari”, duke pretenduar se ka korridore të sigurta për shpërndarjen e ndihmës.
Deklaratat e tij erdhën disa ditë pasi Izraeli vendosi të heqë disa kufizime për hyrjen e ndihmës humanitare, pas presionit të fortë ndërkombëtar mbi mungesën e ndihmës dhe ushqimit në Gaza.
“Pamja që po paraqitet është se ne po zbatojmë një fushatë për të rritur urinë në Gaza. Çfarë gënjeshtre e hapur. Nuk ka politikë urie në Gaza dhe nuk ka uri në Gaza“, tha Netanyahu.
Qëndrimi i ri i kryeministrit izraelit vjen menjëherë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se të paktën 63 persona kanë vdekur këtë muaj nga shkaqe të lidhura me kequshqyerjen në Gaza.
OBSH-ja dhe shumë organizata ndërkombëtare humanitare kanë theksuar se bllokada izraelite e ka intensifikuar në mënyrë dramatike krizën humanitare në enklavë.
Top Channel