
Këtë javë, e ftuar në studion e emisionit “E Diell” me moderatorin Edi Manushi ka qenë aktorja e njohur e humorit, Drande Xhaj.
Në një rrëfim të ngrohtë dhe plot emocione, aktorja shkodrane ndau me publikun detaje nga jeta e saj personale dhe rrugëtimi i gjatë në skenë dhe ekran.
Drande Xhaj, e cila ka interpretuar me dhjetëra role të dashura për publikun, foli me nostalgji për bashkëpunimet e saj me emra të mëdhenj të humorit shqiptar si Tano Banushi, Zyliha Miloti dhe shumë artistë të tjerë të njohur.
“Tano Banushi ka qenë një aktor i madh, shumë i thjeshtë. Thjeshtësia të bën edhe më madhështor. Ai kishte një arshivë në shtëpi që askush tjetër nuk e kishte. Mbante mend ditëlindjen time dhe çdo vit më sillte dhurata – një lule, një sapun. Fakti që ai kujtohej gjithmonë për mua më jepte shumë emocion,” tregoi aktorja me emocion.
Ajo foli gjithashtu për miqësinë dhe bashkëpunimin e gjatë me aktoren Zyliha Miloti: “Me Zyliha Milotin kam një jetë që njihem. Kemi punuar bashkë dhe unë kam mësuar shumë nga Zylin. Ajo është një mike e jashtëzakonshme. Po të shohësh telefonin tim, deri në orën 2 të natës flasim bashkë,” rrëfeu Xhaj, duke theksuar lidhjen e fortë që ka me kolegët e saj.
Top Channel