Ndodhej në grumbullim me ekipin, futbollisti belg merr lajmin tronditës për vdekjen e të birit 14-muajsh

27/07/2025 22:28

Një ngjarje tronditëse ka goditur kampin stërvitor të Barit, në Roccaraso.

Mesfushori belg Matthias Verreth, 27 vjeç, sapo i transferuar te skuadra italiane si lojtar i lirë, është njoftuar në mesditën e sotme për vdekjen e djalit të tij 14-muajsh, Elliot Charles.

Fëmija ndodhej në spital në Belgjikë, ku jeton familja e lojtarit, pasi ishte shtruar disa ditë më parë me simptoma të një virusi të dyshuar. Gjendja shëndetësore e të voglit u përkeqësua me shpejtësi, duke kulmuar fatkeqësisht me vdekjen e tij.

Lajmi i mori Verrethin në befasi, teksa ndodhej në drekë me pjesën tjetër të ekipit, pas një pushimi gjysmëditor që trajneri Fabio Caserta kishte dhënë pas 10 ditësh intensive përgatitjesh. Mesfushori shpërtheu në lot, i shkatërruar nga dhimbja.

Presidenti i klubit, Luigi De Laurentiis, ka shoqëruar vetë lojtarin në aeroportin Fiumicino, për ta ndihmuar të kthehej sa më shpejt pranë familjes në Belgjikë. Klubi ka vendosur gjithashtu të pezullojë pjesën e mbetur të kampit stërvitor, ndërsa miqësorja e së martës ndaj Cavese-s është anuluar.

Skuadra është thellësisht e tronditur dhe e bashkuar në dhimbje pranë shokut të ekipit, në këtë moment të rëndë njerëzor.

Top Channel