
Pas javësh të mbushura me deklarata thumbuese dhe tensione të fshehura mes tyre, Hakan Çalhanoğlu dhe Lautaro Martínez janë shfaqur bashkë në një foto të shpërndarë në rrjetet sociale, duke lënë pas çdo keqkuptim.
Të ulur në një divan, me buzëqeshje dhe një përqafim miqësor, dy nga figurat më të rëndësishme të Interit duket se kanë mbyllur një kapitull të nxehtë përpara fillimit të sezonit të ri.
Vetëm pak javë më parë, marrëdhënia e tyre u vu në pikëpyetje pas disa deklaratave kontradiktore në media. Çalhanoğlu ishte shprehur i zhgënjyer që nuk kishte marrë më shumë mbështetje nga kapiteni Lautaro gjatë një momenti kritik sezonal, ndërsa argjentinasi kishte deklaruar se “nuk i përgjigjet atyre që flasin pas shpine” – një koment që u interpretua si përgjigje direkte ndaj turkut.
Por tani duket se gjithçka është sqaruar mes dyshes, që sipas burimeve pranë klubit kanë zhvilluar një bisedë të drejtpërdrejtë dhe të hapur për të sheshuar tensionet. Atmosfera në kampin zikaltër është përmirësuar ndjeshëm dhe Interi ka për qëllim të mbajë boshtin e tij të fortë për sezonin e ardhshëm.
Në të njëjtën kohë, Çalhanoğlu ka konfirmuar zyrtarisht qëndrimin te Inter për këtë verë, duke mbyllur çdo zë për një largim të mundshëm. “Nuk ka asnjë dyshim – qëndroj te Inter”, ka thënë ai shkurt dhe prerë, duke vulosur besnikërinë ndaj klubit dhe projektit të tij sportiv.
Kjo foto e fundit me Lautaron është një sinjal i qartë se grupi është i bashkuar dhe gati për të nisur një tjetër sezon ambicioz, me synimin për të rikthyer titullin në San Siro dhe për të shkuar sa më larg në Champions League.
Top Channel