Fiks Fare/ 68-vjeçares së paralizuar nuk i jepet e drejta për kemp, ia ndalojnë kufizimet e ligjit

25/07/2025 20:52

Tonine Kola nga Vau i Dejës ankohet në Fiks Fare se nuk përfiton pagesën e kujdestarisë dhe paketën higjeno-sanitare.

Kempi epror nuk ia jep, pasi si pengesë nxjerr kufizimet e ligjit.

68-vjeçarja një vit më parë ka pësuar hemorragji cerebrale, ku si pasojë i ka marrë njërën këmbë dhe një dorë. Ajo prej një viti qëndron e shtrirë, pasi nuk është e aftë për të lëvizur. Të gjitha ekzaminimet e spitalit të Shkodrës tregojnë se gjendja e saj është shumë e rënduar.

Në mars të këtij viti ajo është thirrur nga Kempi epror për ekzaminim, fillimisht me një video call, por pasi nuk u bindën për gjendjen e saj, e kërkuan edhe fizikisht. Sipas bashkëshortit, Toninen e mbajtën vetëm 5 minuta dhe e nxorrën. Më 18 mars, Kempi epror dërgon përgjigjen zyrtare që 68-vjeçarja është e aftë të lëvizë. Pra, nuk ka nevojë për përkujdesjen e një personi tjetër dhe as për paketën higjeno-sanitare.

Ndërkohë që në emisionin Fiks Fare, me figurë u pa që 68-vjeçarja lëngonte në krevat dhe me bebelina. Në shërbim i vinte bashkëshorti, pasi djali ka probleme të shëndetit mendor. Të dy, burrë e grua, të ardhura kanë vetëm pensionet. Toninja thotë për Fiksin se as ilaçet nuk i rimbursohen, duke apeluar për ndihmë.

Fiksi iu drejtua Spitalit Rajonal Shkodër, ku iu tha se spitali të drejtën e vetme për referimin e rastit në Kempin epror e ka bërë, por zonja sipas doktorit është e klasifikuar tek hemiplegjikët, kategori që nuk përfitojnë asnjë lloj shërbimi. Pra, mjeku shpjegon që për të përfituar si kujdestari, ashtu edhe paketë higjeno-sanitare, 68-vjeçarja duhet t’i ketë të 4 gjymtyrët e paralizuara sipas ligjit në fuqi. Ndaj, nëpërmjet Fiksit, ai kërkon që ligji të rishikohet, pasi përjashton shumë kategori me nevoja specifike. Përsa i përket rimbursimit të ilaçeve, mjeku pohon atë që zonja tha, që nuk i rimbursohen dhe se janë të kushtueshme.

Fiks Fare u interesua pranë Kempit epror për rastin e zonjës Tonine Kola.

Kempi epror, në përgjigjen e tij, sqaron se zonja Kola nuk përfiton statusin e para-tetraplegjisë, edhe pse ka 2 diagnoza. Sipas Kempit epror, statusin e para- dhe tetraplegjisë e përfitojnë vetëm ata pacientë që vuajnë nga paralizat e llojit paraplegji ose tetraplegji.

Gjithashtu, Kempi epror sugjeron për pacienten që të aplikojë për vlerësim në modelin biopsikosocial. Por zonja Tonine Kola nuk përfiton as këtë pension, pasi aktualisht merr pension pleqërie nga sigurimet shoqërore.

 

FOTO GALERI
4/6

Top Channel