
Vdekja tragjike e aktorit të famshëm amerikan Matthew Perry, i njohur në mbarë botën si Chandler Bing në serialin legjendar Friends, ka marrë një kthesë dramatike me zhvillimet e fundit nga hetimet federale në SHBA.
Një mjek nga Kalifornia, Dr. Salvador Plasencia, ka pranuar fajësinë në një gjykatë federale në Los Angeles për katër akuza lidhur me shpërndarjen e paligjshme të ketaminës, substancë që besohet të ketë qenë shkaktare e vdekjes së aktorit në tetor të vitit 2023.
Perry, i cili ndërroi jetë në moshën 54-vjeçare në shtëpinë e tij, ishte prej kohësh i përfshirë në një betejë të gjatë me varësinë nga substancat narkotike.
Hetimet kanë zbuluar se ai po i nënshtrohej trajtimeve me ketaminë për trajtimin e depresionit, por dozat e administruara kishin dalë përtej kontrollit mjekësor dhe ishin kthyer në abuzim.
Sipas dokumenteve të gjykatës, Dr. Plasencia jo vetëm që i siguroi Perry-t dhjetëra shishe me ketaminë përmes një rrjeti të ndërlikuar furnizuesish, por u shfaq personalisht në shtëpinë e aktorit për t’ia administruar dozën ose ia dorëzoi asistentëve të tij.
Mjeku akuzohet gjithashtu se i shiste shishet me një çmim marramendës prej rreth 2,000 dollarësh, ndërkohë që vetë i blinte për vetëm 12 dollarë. Në dy javë, ai dyshohet se shpërndau afërsisht 20 shishe ketaminë.
Një nga detajet më tronditëse të hetimit është një mesazh i zbuluar nga telefoni i Plasencia-s, i dërguar pak ditë para vdekjes së aktorit: “Pyes veten sa do të më paguajë ky idiot”.
Prokurorët e konsiderojnë këtë si provë të qartë të sjelljes grabitqare dhe mungesës së çdo ndjenje etike në trajtimin e pacientit.
Krahas Dr. Plasencia-s, hetimet përfshijnë edhe katër persona të tjerë. Njëri prej tyre është Jasveen Sangha, e njohur në rrethet e Hollivudit si “Mbretëresha e Ketaminës”.
Sangha, 41 vjeçe me shtetësi të dyfishtë amerikane dhe britanike, akuzohet se ka qenë ajo që i furnizoi Perry-t dozën fatale të drogës. Ajo ka deklaruar pafajësinë e saj, por nëse shpallet fajtore, rrezikon burgim të përjetshëm.
Edhe asistentja personale e Perry-t dhe një ndërmjetës i përfshirë në trafikimin e substancave kanë pranuar të bashkëpunojnë me drejtësinë dhe pritet të dëshmojnë në gjyq.
Dënimi i Dr. Plasencia do të shpallet në muajt në vijim dhe ai përballet me deri në 40 vjet burg. Rasti i Matthew Perry ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer në qendër të vëmendjes problemet e varësisë, keqpërdorimit të autoritetit mjekësor dhe manipulimit të të famshmëve nga individë pa skrupuj.
Top Channel