U gjet pa ndjenja në dhomën e tij, ndërron jetë një i paraburgosur në ambientet e urgjencës së QSUT-së

24/07/2025 10:03

Një i burgosur ka ndërruar jetë në ambientet e urgjencës së QSUT-së.

Ai u gjet pa ndjenja në dhomën e tij, e më pas u transportua me urgjencë në spital, aty ku edhe ndërroi jetë. 51-vjeçari Besnik Koçiu vuante nga disa probleme shëndetësore, për të cilat kurohej.

“Më datë 24 korrik 2025, rreth orës 08:00, në ambientet e Urgjencës së QSUT-së, ka ndërruar jetë i paraburgosuri Besnik Koçiu, i datëlindjes 26.10.1974, i cili ishte i akomoduar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) “Jordan Misja” që prej datës 16 korrik 2025, ardhur nga Drejtoria e Policisë Tiranë.

Rreth orës 07:00 të datës 24 korrik, personeli infermieror është njoftuar se shtetasi Koçiu ishte pa ndjenja në dhomën e tij. Ai është transportuar menjëherë me urgjencë në QSUT në orën 07:08, ku ka mbërritur në orën 07:12 dhe është trajtuar nga ekipi mjekësor i urgjencës. Pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, në orën 08:00 është konfirmuar ndarja nga jeta.

Shtetasi Koçiu në momentin e pranimit në institucion ka deklaruar se vuante nga Diabet Mellitus, Hipertension Arterial dhe një AVC ishemik të kaluar rreth gjashtë muaj më parë, për të cilat kishte terapi të vazhdueshme referencë për të cilën i është hapur dhe kartelë mjekësore për kryerjen e ekzaminimeve të vazhdueshme. Shtetasi Koçiu ishte në hetim për veprën penale “Armëmbajtje pa leje dhe prodhim i armëve”“, raporton Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve .

Ngjarja është referuar menjëherë autoriteteve përkatëse.

Top Channel