Sherr me mjete të forta mes disa të rinjve dhe biznesmenëve në Lumin e Shalës, plagosen rëndë dy persona

24/07/2025 11:00

Një ngjarje e rëndë është shënuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në zonën turistike të Lumit të Shalës, ku disa të rinj kanë mbetur të plagosur rëndë si pasojë e një konflikti të dhunshëm me mjete të forta.

Sherri ka nisur rreth orës 02:00, mes disa të rinjve shqiptarë turistë dhe disa të tjerëve që ushtrojnë aktivitet biznesi në këtë zonë.

Përplasja fizike ka zgjatur për disa minuta, duke shkaktuar panik dhe shqetësim në këtë pikë turistike që vizitohet nga qindra pushues çdo ditë.

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se janë përdorur mjete të forta gjatë konfliktit, ndërsa dy të rinj kanë mbetur të plagosur rëndë.

Kjo nuk është hera e parë që në Lumin e Shalës raportohen përplasje dhe akte dhune, çka e bën të domosdoshme një vëmendje më të shtuar për sigurinë në këtë destinacion gjithnjë e më të populluar nga turistë vendas e të huaj.

Në zone nuk ka prani të përhershme të policisë, ndaj ngjarje të tilla nxjerrin në pah nevojën urgjente për patrullim të përhershëm gjatë gjithë sezonit turistik.

Top Channel