Sot raundi i tretë i bisedimeve Rusi-Ukrainë, zëdhënësi i Kremlinit: Bisedimet do të jenë të vështira

23/07/2025 16:29

Kremlini tha se pret “diskutime shumë të vështira” me Kievin në bisedimet e paqes të planifikuara sot në Stamboll, duke përjashtuar përsëri mundësinë e një përparimi të shpejtë diplomatik për t’i dhënë fund luftës.

“Askush nuk pret një rrugë të lehtë. Sigurisht, do të jetë një diskutim shumë i vështirë”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit rus Dmitry Peskov, duke përsëritur se propozimet përkatëse të palëve ndërluftuese për t’i dhënë fund konfliktit janë të kundërta.

Afati 50-ditor i Trump për një marrëveshje skadon – “Është shumë i gjatë”, thotë Kallas.

Ky raund i tretë i bisedimeve të drejtpërdrejta në Stamboll po zhvillohet edhe një herë, nën presionin e presidentit të SHBA-së Donald Trump, i cili i dha Moskës, në mes të korrikut, 50 ditë për të arritur një marrëveshje me Kievin, përndryshe do të përballet me sanksione serioze.

Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë akuzojnë Kremlinin për pengimin e negociatave duke ngritur kërkesa të tepërta, ndërsa ushtria ruse, e cila është superiore në ushtarë dhe pajisje, vazhdon bombardimet dhe sulmet e saj në front, ku po pushton gradualisht territorin.

Sot, Ministria Ruse e Mbrojtjes njoftoi kapjen e një fshati tjetër, Varachyne, në rajonin ukrainas të Sumy.

Në këtë kontekst, kreu i diplomacisë evropiane, Kaia Kallas tha se afati 50-ditor i Trump është “shumë i gjatë” kur “civilë të pafajshëm vdesin çdo ditë”.

Konflikti, i cili shpërtheu në shkurt 2022 me pushtimin rus të Ukrainës, ka shkaktuar të paktën dhjetëra mijëra vdekje nga të dyja palët, civilë dhe ushtarakë.

Këtë pasdite takimi në prani të Fidan

Sipas Kievit dhe Moskës, misionet e tyre ishin në rrugë për në Stamboll në mesditë të sotme, ku bisedimet janë planifikuar të zhvillohen sonte.

“Takimi midis delegacioneve turke, ruse dhe ukrainase do të fillojë në ish-Pallatin Ciragan në Stamboll rreth orës 19:00 në prani të Ministrit të Jashtëm, Hakan Fidan dhe kreut të Agjencisë Turke të Inteligjencës (MIT) Ibrahim Kalin”, tha një zyrtar i Ministrisë së Jashtme turke, i cili kërkoi të mos identifikohej.

Perspektiva e zhvillimeve diplomatike mbeti jashtëzakonisht e kufizuar, pasi qëndrimet e dy kampeve aktualisht duken të papajtueshme.

Bisedimet e mëparshme në Stamboll në maj dhe qershor rezultuan vetëm në marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve dhe ushtarëve të vdekur.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky la të kuptohej dje se pret të diskutojë me Moskën shkëmbime të reja, si dhe riatdhesimin e fëmijëve nga Ukraina që janë transferuar në Rusi.

Propozimet e paqes të dy vendeve janë të kundërta

Kreu i misionit ukrainas në Stamboll do të jetë, si në herët e mëparshme, ish-Ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov, një diplomat i shquar.

Sot, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se përbërja e delegacionit rus është “e pandryshuar” dhe do të drejtohet, si në raste të tjera, nga një zyrtar i rangut më të ulët, ish-Ministri i Kulturës dhe historiani nacionalist, Vladimir Medinsky.

Sipas Peskov, diskutimet e planifikuara për sot do të kenë të bëjnë kryesisht me “memorandumet” e shkëmbyera në qershor nga të dy palët dhe përfshijnë propozimet e tyre të paqes, të cilat, sipas Peskov, janë “diametralisht të kundërta”.

Bisedimet do të diskutojnë gjithashtu “procesin shumë të rëndësishëm” të shkëmbimit të të burgosurve, tha Peskov.

Në terren, sulmet dhe luftimet vazhdojnë.

Nga nata e së martës deri të mërkurën, 71 dronë rusë shënjestruan Ukrainën, sipas Forcave Ajrore, duke rezultuar në plagosjen e dy fëmijëve në rajonin ukrainas të Khersonit, ku një grua u vra nga një sulm artilerie ruse, sipas autoriteteve lokale.

Nga ana e saj, ushtria ruse tha se kishte neutralizuar 33 dronë ukrainas të nisur drejt territorit rus gjatë natës.

Top Channel