
Microsoft ka zbuluar se disa nga serverët e tij të softuerit të dokumenteve SharePoint janë hakuar nga grupe të lidhura me shtetin kinez, duke vënë në shënjestër të dhënat e bizneseve dhe institucioneve që përdorin këtë sistem jashtë cloud-it të kompanisë.
Sipas deklaratës së gjigantit të teknologjisë, grupet e njohura si Linen Typhoon, Violet Typhoon dhe Storm-2603 kanë shfrytëzuar dobësi të njohura në versionet e instaluara lokalisht të SharePoint, duke i mundësuar vetes akses në informacion konfidencial të organizatave në disa sektorë të ndjeshëm në mbarë botën.
Microsoft ka publikuar përditësime sigurie urgjente dhe i ka kërkuar të gjithë përdoruesve të SharePoint në serverë lokalë që t’i instalojnë menjëherë për të parandaluar sulme të mëtejshme. Kompania tha se ka “besim të lartë” që hakerët do të vazhdojnë të synojnë sistemet që nuk janë përditësuar.
Hetimet për sulme të tjera të mundshme janë ende në vijim dhe Microsoft ka premtuar se do të përditësojë blogun zyrtar me informacion të ri sapo të jetë i disponueshëm.
Ky incident është një tjetër sinjal alarmi mbi rrezikun në rritje që paraqesin sulmet kibernetike të sponsorizuara nga shtetet, veçanërisht nga Kina, ndaj infrastrukturës teknologjike dhe të dhënave sensitive të sektorëve kyç në mbarë botën.
Top Channel