Pagesat e dritave me këste/ OSHEE publikon aktmarrëveshjet, këste duke nisur nga 1.200 lekë në muaj

23/07/2025 15:17

Për të gjitha familjet edhe bizneset që kanë fatura të energjisë elektrike të papaguara deri në dhjetor të vitit 2023, do të mund t’i shlyejnë nëpërmjet kësteve mujore.

OSHEE ka publikuar llojet e aktmarrëveshjeve, të cilat përfshijnë pagesa deri në 240 këste dhe me vlerë minimale prej 1200 lekësh për këst.

“Në skemat e aktmarrëveshjes së 2025 parashikohet shlyerja e detyrimeve të krijuara deri në dhjetor 2023. Për të gjithë klientët që kanë krijuar detyrime gjatë vitit 2024 e në vijim, nuk do të përfshihen në këto skema me kusht që të shlyhen paraprakisht detyrimet e krijuara rishtazi në 2024 dhe 2025.

OSHEE, në respekt të angazhimit të saj social, ka parashikuar të përfshijë në skema familjet në nevojë, personat me status të veçantë dhe pensionistët, duke iu dhënë mundësinë të shlyejnë detyrimet e prapambetura me këste minimale 1200 dhe 2800 lekë. Por kjo nuk përjashton mundësinë e zgjedhjes së një kësti alternativ për të gjithë ata kategori klientësh që dëshirojnë ta shlyejnë detyrimin total të energjisë elektrike për një kohë më të shkurtër, duke iu përmbajtur afatit maksimal prej 240 këstesh”, u shpreh drejtori i Departamentit të Shitjes dhe Arkëtimit në OSHEE, Mentor Hima.

Për ata klientë të cilët duan t’i shlyejnë detyrimet në një këst të vetëm, do të ketë edhe përfitime.

“Përfitojnë reduktim kamate nga 50 deri në 100%, në varësi të kategorisë që i përkasin”, tha Hima

Për të përfituar nga këto aktmarrëveshje, klientët debitorë duhet të paraqesin këto dokumente.

“Është ID për aplikantët. Për rastet e bizneseve janë dokumentacioni ligjor, NIPT-i, ekstrakti i QKB-së dhe vërtetimi i përgjegjësisë tatimore”, shtoi Hima.

Me nënshkrimin e marrëveshjes, klienti duhet të kryejë pagesën e këstit të parë brenda 7 ditëve kalendarike dhe më pas të vijojë me pagesa mujore të rregullta deri në shlyerjen e plotë të detyrimit.

Top Channel