
Pas një fillimi korriku me tensione, përplasje, shembje e zhurmë, në Theth është rikthyer disi qetësia.
Fadromat e ushtrisë vazhdojnë akoma punën për heqjen e inerteve të më shumë se 100 ndërtimeve pa leje të shembura.
“Ne vijmë nga Franca, zgjodhëm Thethin sepse të gjithë na thonë se është i bukur. Pastaj kemi edhe dy shokë shqiptarë që na e sugjeruan. Është shumë i bukur, i aksesueshëm dhe është vetëm 2 orë larg nga Shkodra.”
“Ne jemi nga Belgjika dhe erdhëm në Theth sepse na thanë se Shqipëria është shumë e veçantë dhe ky fshat duhet vizituar.”
“Kur erdha, i pashë ndërtimet e shembura sepse kaluam përmes maleve dhe dalloheshin lehtë, por nuk krahasohen me panoramën dhe bukuritë që ka kjo zonë. Nuk e besoj se ndikojnë shumë tek turizmi nëse largohen shpejt mbetjet, por nëse ato qëndrojnë, atëherë është problem.”
“Ne kërkuam në Google për vendet më të mira në Ballkan, dhe Thethi ishte ndër më të votuarat. Gjithashtu një mik i yni na e sugjeroi. Tani po vizitojmë kishën. Nuk i kam parë ndërtimet e shembura. Kam vizituar vetëm qendrën e fshatit.”
Për operatorët turistikë, shqetësim është mungesa e vizitorëve vendas, të cilët janë trembur nga pamjet e aksionit, ndonëse tek të huajt nuk ka ndikuar.
Kur natyra gjen paqe, vizitorët vijnë vetë. Dhe këto ditë dalëngadalë, Thethi po e rifiton gjallërinë e tij, ndonëse tek vendasit dëmi i shkaktuar nuk harrohet dhe as nuk rikuperohet lehtë.
Top Channel