Turi i Francës, 40 vite pa francezë / Bernard Hinault është fituesi i fundit i garës çiklistike më të famshme në botë

22/07/2025 12:31

Ishte data 21 korrik 1985, kur Bernard Hinault ngriti krahët lart në Paris me fanellën e verdhë, duke fituar për herë të pestë Turin e Francës, triumfi i fundit për të në karrierë në kompeticionin më prestigjioz të çiklizmit.

Gati 40 vjet më vonë, çiklizmi francez ende nuk e ka gjetur trashëgimtarin e legjendës, Hinault. Që atëherë, asnjë francez nuk është ngjitur në shkallën më të lartë të podiumit në garën më të rëndësishme në botë.

Një shterpësi e dhimbshme kombëtare për Francën dhe e pashpjegueshme, për të cilën është rikthyer të flasë ikona e çiklizmit, Bernard Hinault.

“Për të fituar Turin e Francës duhet të jesh një superyll,” – shprehet Hinault në një intervistë për mediat vendase.

Sipas tij, problemi është strukturor dhe pothuajse gjenetik: “Kjo nuk mund të prodhohet. Një çiklist nuk është si një makinë, ai duhet të ketë talentin e lindur.”

Që nga viti 1985, njëmbëdhjetë kombësi të ndryshme e kanë fituar garën, ndërsa Franca vazhdon të shikojë triumfet e të tjerëve, mes zhgënjimit, nostalgjisë dhe shpresës, që mbetet gjithnjë e më e largët.

Dje u bënë saktësisht katër dekada, ndërsa Hinault nuk pret mrekulli. Turi i këtij edicioni është në etapën e 16-të sot, në itinerarin Mont-Pellier – Mont Ventoux, një etapë malore prej 171 km.

Ndërkohë, në krye të klasifikimit të përgjithshëm mbetet slloveni Pogaçar, i cili është edhe pretendenti kryesor për ta fituar këtë sezon.

Top Channel