
Administrata e presidentit Donald Trump ka deklasifikuar dhe publikuar më shumë se 240,000 faqe dokumente që zbulojnë mbikëqyrjen e FBI-së ndaj Martin Luther King Jr., pavarësisht kundërshtimeve të drejtpërdrejta nga familja e tij dhe organizata të të drejtave civile.
Dokumentet, që ishin nën vulë gjykate që nga viti 1977, përmbajnë të dhëna të ndjeshme mbi përgjumjet, përgjimet dhe përpjekjet sistematike të FBI-së për të diskredituar Kingun, veçanërisht gjatë viteve të fundit të jetës së tij. Familja King i ka quajtur këto veprime “mbikëqyrje pushtuese dhe sulme të qëllimshme ndaj së vërtetës”.
Martin Luther King III dhe Bernice King deklaruan se publikimi është i dhimbshëm dhe kërkuan që dosjet të trajtohen me “empati dhe respekt për pikëllimin e vazhdueshëm të familjes”. Ata ritheksuan bindjen e tyre të kahershme se James Earl Ray, i dënuar për vrasjen e King, nuk ishte autor i vetëm — nëse ishte autor fare.
Në vitin 1999, një juri në Memfis, pas një padie të ngritur nga familja King, kishte arritur në përfundimin se King ishte viktimë e një komploti. Familja mbetet e kujdesshme ndaj përpjekjeve për të shtrembëruar trashëgiminë e tij.
Zyra e drejtoreshës së inteligjencës kombëtare, Tulsi Gabbard, e quajti publikimin “të paprecedentë” dhe vlerësoi Trumpin për “transparencë historike”. Por disa analistë dhe aktivistë e cilësuan veprimin si një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga kritikat ndaj Trump për mënyrën e trajtimit të hetimit të çështjes Epstein.
Dosjet përfshijnë prova të mbledhura nga programi famëkeq i FBI-së, COINTELPRO, i cili kishte për qëllim “çmontimin” e figurave si King, përmes përgjimeve në hotele, përgjumjeve telefonike dhe infiltrimit me informatorë. Ato gjithashtu përmbajnë informacion rreth interesimit të CIA-s për përfshirjen e Kingut në lëvizjet ndërkombëtare kundër luftës dhe varfërisë.
Nuk është ende e qartë nëse dosjet hedhin dritë të re mbi vrasjen e tij më 4 prill 1968 në Memphis.
Ndërkohë që publikimi ka hapur plagë emocionale për familjen King, studiues dhe gazetarë kanë nisur analizën e dokumenteve si burim i vlefshëm për të kuptuar më thellë jo vetëm jetën dhe veprimtarinë e Kingut, por edhe mekanizmat e shtetit amerikan ndaj lëvizjeve për barazi dhe drejtësi sociale në shekullin XX.
Top Channel