Përfundon faza e tretë e garës për kreun e BKH, SPAK: Komisioni i Përzgjedhjes do të rendisë kandidatët e kualifikuar

22/07/2025 14:21

Përfundon faza e tretë e garës për kreun e BKH.

Sipas njoftimit të SPAK sot u zhvillua faza e tretë e përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), përkatësisht provimi i zgjeruar me shkrim (eseja) dhe testi për arsyetimin logjik.

Shtatë kandidatët e kualifikuar nisën testin në orën 11.00, në ambientet  e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Të dy testet zgjatën 1 orë e 45 minuta, përkatësisht eseja, 60 minuta dhe testi i arsyetimit logjik, 45 minuta.

Rregullorja për përcaktimin e procedurave të përzgjedhjes së kandidatit për Drejtor të BKH-së parashikon vlerësimin me 60 pikë për të dy testet, pra 30 pikë për secilin.

Procedura e testeve u zhvillua nën vëzhgimin e anëtarëve të Komisionit të Përzgjedhjes, vëzhguesve ndërkombëtarë dhe stafit teknik mbështetës.

Në përfundim të këtyre fazave të para; testit të aftësive fizike, provimit të zgjeruar me shkrim (esesë) dhe testit për arsyetimin logjik, Komisioni i Përzgjedhjes do të rendisë kandidatët e kualifikuar, të cilët do të vijojnë me fazat e tjera të konkurrimit.

Testi i ardhshëm është ai i poligrafit dhe intervistës në panel, i cili ndiqet nga faza e verifikimit të figurës dhe deklarimit të pasurisë nga Komisioni i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës.

Top Channel