
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se ofensiva tokësore e Izraelit në Gazën qendrore ka kompromentuar përpjekjet e saj për të vazhduar punën, pasi objektet e saj u sulmuan.
Agjencia e OKB-së akuzoi forcat izraelite për sulmin e një ndërtese ku ndodhen stafi i saj dhe familjet e tyre në qytetin Deir al-Balah të hënën dhe për keqtrajtimin e atyre që ndodheshin atje. Depoja e saj kryesore u sulmua dhe për pasojë u shkatërrua.
Operacioni i saj i parë i madh tokësor në Deir al-Balah që nga fillimi i luftës me Hamasin 21 muaj më parë ka zhvendosur dhjetëra mijëra civilë palestinezë, mes paralajmërimeve për një krizë të rëndë urie në të gjithë territorin.
OKB-ja tha të hënën se po merrte raportime për njerëz të kequshqyer që mbërrinin në klinika dhe spitale në gjendje jashtëzakonisht të dobët shëndetësore, ndërsa ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi tha se 19 persona kishin vdekur nga kequshqyerja që nga e shtuna.
Të dielën, ushtria izraelite urdhëroi evakuimin e menjëhershëm të gjashtë blloqeve të qytetit në Deir al-Balah jugor, duke paralajmëruar se do të vepronte “me forcë të madhe për të shkatërruar aftësitë e armikut dhe infrastrukturën terroriste”.
Rreth 50,000 deri në 80,000 njerëz që jetonin në zonat e prekura u udhëzuan të shkonin në jug drejt zonës al-Mawasi në jug të territorit.
Zyra humanitare e OKB-së tha se stafi i OKB-së do të mbetet në Deir al-Balah pavarësisht urdhrit të evakuimit, i shpërndarë në dhjetëra ambiente, koordinatat e të cilave ishin ndarë me Izraelin, dhe theksoi se ato duheshin mbrojtur.
Të hënën në mbrëmje, OBSH-ja lëshoi një deklaratë duke thënë se dënonte “me termat më të ashpra” sulmet ndaj objekteve të saj.
Thuhej se rezidenca e stafit të OBSH-së u sulmua tre herë dhe se stafi dhe familjet e tyre, përfshirë fëmijët, ishin “të ekspozuar ndaj rrezikut të madh dhe të traumatizuar pasi sulmet ajrore shkaktuan një zjarr dhe dëme të konsiderueshme”.
Top Channel