Gara në BKH/ Përfundon testi i esesë, ja teza që zgjodhën kandidatët! Procesi monitorohet nga SHBA dhe BE

22/07/2025 14:10

Provimi i radhës i 7 kandidatëve që konkurrojnë për drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit është monitoruar jo vetëm nga amerikanët, por edhe nga përfaqësues të Bashkimit Europian.

Burimet thanë se gjatë kohës që pretendentët shkruajtën esenë por edhe iu janë përgjigjur pyetjeve logjike, të pranishëm kanë qenë si vëzhgues të procesit edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë. Ata po e ndjekin nga afër garën, në kushtet kur ka zëra se komisioni i përbërë nga 3 prokurorë është përçarë për shkak të preferencave paraprake që ata kanë ndaj vetëm dy kandidatëve.

Kur debati ka zëra se ka ndodhur mes kryeprokurorit të SPAK dhe ish-kryeprokurorit të SPAK, shkrimi i esesë është monitoruar edhe me një kamerë sigurie të brendshme dhe pajisja e kohëmatësit. Si temë eseje ku secili nga konkurrentët ka treguar vizionin e tij në lidership, ishte shembulli i kalimit të stafetës tek të rinjtë, në rastin hipotetik kur disa hetues që po hetojnë tenderat dhe korrupsionin dalin në pension dhe duhet të japin eksperiencën tek pasuesit.

Ky ushtrim bashkë me logjikën u zgjidh përgjatë një ore e 45 minuta nga kandidatët: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Jon Keta.

SPAK njoftoi zyrtarisht se pas fazës së tretë, komisioni do të rendisë pretendentin e kualifikuar për fazat e tjera të konkurrimit që janë poligrafi dhe intervista. Jo zyrtarisht, burimet thanë se prova e poligrafit mbahet në datat 24 dhe 25 korrik në Akademinë e Sigurisë, ndërsa të hënën intervistimi.

Më herët, ditën kur u mbajt prova e testit fizik, në SPAK ishte edhe e ngarkuara me punë e ambasadës amerikane, zonja Van Horn, prania e së cilës u lexua si mesazh mbështetjeje për Byronë, që njihet ndryshe si FBI-ja shqiptare.

SPAK ka afat deri në fund të korrikut për të përmbyllur provat dhe më pas treshja e prokurorëve duhet të vendosë emrin e më të mirit sipas tyre, që do të sjellë më pas një mbledhje enkas në KLP, prej nga ku do të votohet drejtori i ri me mandat 5-vjeçar.

Top Channel