Futbolli britanik në zi, ndahet nga jeta ish-mbrojtësi i Liverpool-it dhe Chelsea-t

22/07/2025 10:43

Një tjetër humbje e madhe për botën e futbollit. Ish-mbrojtësi legjendar i Liverpool-it, Joey Jones, ka ndërruar jetë në moshën 70-vjeçare.

Lajmi i trishtë u konfirmua nga ish-bashkëlojtarë dhe figura të njohura të futbollit britanik.

Jones, i cili luajti për Liverpool-in nga viti 1975 deri në 1978, ishte një prej figurave më të dashura për tifozët. Gjatë kësaj periudhe, ai ndihmoi klubin të fitojë titullin e ligës dhe Kupën e Europës në vitin 1977.

Pas një rikthimi te Wrexham, klubi ku e nisi karrierën, ai u transferua te Chelsea në vitin 1982, ku qëndroi për tre sezone dhe ndihmoi ekipin të fitonte kategorinë e dytë në vitin 1984. Ai më pas luajti për Huddersfield dhe u kthye për herë të fundit te Wrexham, ku edhe e mbylli karrierën në vitin 1992.

Në nivel ndërkombëtar, Jones ka bërë 72 paraqitje për kombëtaren e Uellsit, duke shënuar një gol.

Pas tërheqjes nga futbolli aktiv, Jones vazhdoi kontributin e tij në sport si trajner i moshave të reja dhe rezervave te Wrexham, duke qëndruar pranë klubit deri në vitin 2017. Ai gjithashtu mbajti një rol si ambasador për të rinjtë në të njëjtin klub dhe pati një periudhë të shkurtër si trajner i përkohshëm në vitin 2001.

Ish-sulmuesi i Liverpool-it, John Aldridge, shkroi në rrjetet sociale: “Lajme të trishta miq, Joey Jones ndërroi jetë mbrëmë. Çfarë njeriu i mrekullueshëm dhe mbrojtës frymëzues që jepte shpirtin e tij për fanellën e kuqe dhe për çdo klub ku luante. Mendimet tona janë me familjen e Joey-t. Kam qenë me fat ta takoj shumë herë.”

Ndërsa miku i tij i ngushtë dhe bashkëlojtar te Wrexham, Mickey Thomas, reagoi me dhimbje: “Këtë mëngjes humba mikun dhe shpirtin tim binjak, Sir Joey. Kujtimet tona nuk do të zbehen kurrë – Sot zemra ime është e thyer. Të dua Sir Joey, prehu në paqe. Ngushëllimet e mia për Janice dhe gjithë familjen.”

Joey Jones do të mbahet mend si një luftëtar i vërtetë në fushë dhe një njeri i dashur jashtë saj. Një legjendë që la pas një trashëgimi të pavdekshme në futbollin britanik.

Top Channel