Zaptimi i hapësirave publike, Rama në takim me drejtuesit e Tiranës: Kemi disa skuadra dhe grupe pune në terren

21/07/2025 18:38

Kreu i qeverisë Edi Ram ka mbajtur sot një takim për deputetë dhe drejtorë të bashkisë së Tiranës me në fokus pastrimin e hapësirave publike në kryeqytet.

“Duhen edhe disa ndërhyrje të tjera që do të bëhen në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës”, tha Rama.

Sa i përket Reformës së territorit, Rama tha: Do të ketë një fazë urgjente, aty ku menjëherë do ndërhyjë qeveria me akte normative.

Edi Rama: 

Kam këtu përpara të gjithë inventarin e problematikave të konstatuara në territor. Natyrisht që mund të mos jetë shterues, por nëse thjeshtë dhe vetëm këto problematika do të adresohen si duhet, është një garanci e padiskutueshme që do sjellin një çlirim të madh, një frymëmarrje tërësisht të re të kryeqytetit dhe do të hapen perspektiva të reja për punët në vazhdim, që së bashku me bashkinë e Tiranës do të bëjmë për të adresuar nevojën që në këto territore të ndërtohet hap pas hapi, një mozaik i ri i një Rilindje Urbane 2.0

Kjo përmbledhje këtu ka 1463 çështje të identifikuara. Shumica dërmuese  e tyre janë të lidhura më zënien e hapësirës publike dhe prekin praktikisht jetën e të gjithë komuniteteve që jetojnë në bashkinë e Tiranës.

Dua të falënderoj Inspektoratin për Mbrojtjen e Territorit të Tiranës, që po bën një punë intensive dhe po përpiqet që t’i adresojë problematikat në mënyrën e duhur.

Volumi është tejet i madh dhe duhet t’ju them dhe qytetarëve, që është shumë e qartë, kanë krijuar një lloj pritshmërie dhe besimi dhe çojnë në mënyrë të vazhdueshme në të katërta anët ankesat e tyre se të gjitha do të adresohen, por duhet të kenë parasysh që duam pak kohë edhe për faktin që në shumë raste kur duket sikur inspektorati erdhi dhe nuk bëri gjë, në fakt lihen proces-verbale, lihen njoftime, iu jepet mundësia atyre që duhet të largohen që të çmontojnë vetë dhe kështu me radhë.

Ka filluar praktikisht e njëjta gjë, edhe në pjesë të tjera të territorit. Në Vlorë, në Durrës, në Shkodër që i kam parë dhe më afër dhe për shkak të detyrimit dhe si deputet dhe për shkak të situatës që ngriti siparin e kësaj përpjekjeje që u krijua me ndërtimet e paligjshme në Theth.

Për të mos u zgjatur, nga ana ime me këtë pjesë dua vetëm t’ju informoj pasi kemi një agjendë të ngjeshur, pasi kemi disa grupe pune. Është në radhë të parë ky grup i madh i të gjithë deputetëve që janë kthyer në territor dhe janë në komunikim të vazhdueshëm me komunitetet dhe me qytetarët dhe dua të falënderoj dhe ata që kanë ardhur në mbështetje nga bashkitë e qarkut Tiranë që nuk kanë qenë pjesë e mbulimit me kujdestari me zonat e Tiranës, të bashkisë.

Përveç kësaj skuadre janë dhe disa skuadra të tjera dhe disa grupe pune. Një grup që drejtohet, koordinohet më saktë nga Zëvendës/kryeministrja lidhur me analizën e shërbimeve në bashkinë e Tiranës. Një grup që koordinohet nga Ministria e Financave lidhur me analizën e financave. Një grup që koordinohet nga drejtuesja e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit me drejtuesin e Agjencisë së Planifikimit Urban dhe me mbështetjen apo më saktë nën drejtimin e Persidës, që përfshijnë rreth 60 arkitektë, në mos gabohem, lokalë dhe një numër të konsiderueshëm arkitektesh të huaj nga ana tjetër, të cilët kanë filluar të punojnë për prototipat dhe për modelet e ndërhyrjeve në territoret e këtyre lagjeve dhe të këtyre zonave, ku njerëzit kanë nevojë për hapësirë, patjetër, por nuk mjafton vetëm çlirimi dhe pastrimi, por duhen edhe disa ndërhyrje të tjera që do të bëhen në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës.

Dhe e fundit që kam në këtë pikë është prona ka karakter individual, por ka dhe karakter social kur është fjala në një hapësirë ku jeton shoqëria, nuk jeton Robinson Crusoe dhe për këtë arsye gjithë përpjekja jonë do të jetë që të ndërtojmë një frymë dhe një rend komunitar në të gjitha qytetet tona, në Tiranë, në Vlorë, në Durrës dhe kudo qoftë.

Dhe të gjithë ata, të cilët do t’i bien ndesh, jo qeverisë, as bashkisë, ne jemi më dobëtit në këtë anë, por do t’i bien ndesh të drejtës të fortë dhe të patundshme të komunitetit dhe të familjeve që kanë vendosur të jetojnë në një pellg komunitar së bashku, – do të përballen me forcën më të ashpër të mundshme të ligjit dhe të shtetit.

E vërteta është që një pjesë, jo e vogël dhe mund të korrigjoni e ka kuptuar dhe është përfshirë vetë në çmontimet e këtyre ngrehinave, një pjesë jo e vogël dhe i falënderoj. Patjetër, që ne nuk jemi këtu për të fshirë nga dheu i Tiranës dhe i qyteteve të tjera biznesin, nuk jemi këtu për të dëmtuar askënd, nuk jemi këtu për ta kthyer Tiranën në Teheran.

Ky është kryeqyteti i Mesdheut, ky vend është mesdhetar, qëndrimi i njerëzve jashtë, karriget, tavolinat janë gjëja më normale por jo në rrugën ku ecin njerëzit dhe ku ecin nënat me fëmijë, prandaj duhet të ketë një ndarje racionale të hapësirës së trotuarve, pjesa më e madhe e trotuarit është e këmbësorëve.

Pjesa dërrmuese e hapësirave brenda pallateve është e komuniteteve. Nuk mund të ketë brenda pallateve, situata ku gjithë sheshi, siç ishte një rast i pabesueshëm, gjithë sheshi brenda pallateve ishte i mbuluar me çati, dhe njerëzit për të shkuar nëpër shtëpi hynin nëpër disa korridore midis lokaleve prej hekuri dhe prej xhami.

Top Channel