Telefonata e Papa Leonit me presidentin e shtetit palestinez, kreu i kishës katolike: Ndaloni barbarinë në Gaza

21/07/2025 16:53

Papa Leoni XIV mori një telefonatë nga presidenti palestinez, Mahmoud Abbas sot, katër ditë pas sulmit vdekjeprurës izraelit ndaj një kishe katolike romake në Gaza, njoftoi Vatikani.

Gjatë telefonatës së tyre, e para që bëhet publike që kur Papa amerikan u zgjodh më 8 maj, ky i fundit “përsëriti thirrjen e tij për respekt të plotë të ligjit ndërkombëtar humanitar, duke nënvizuar detyrimin për të mbrojtur civilët dhe vendet e shenjta dhe ndalimin e përdorimit pa dallim të dhunës dhe zhvendosjes masive të njerëzve”, sipas deklaratës së Vatikanit.

Leoni XIV gjithashtu përsëriti “urgjencën e ofrimit të ndihmës për ata që janë më të ekspozuar ndaj pasojave të konfliktit dhe të lejimit të ndihmës humanitare të hyjë”.

Apeli vjen pasi tre persona u vranë të enjten në një sulm izraelit ndaj kishës së vetme katolike romake të Gazës, një strehë për komunitetin e vogël që nga fillimi i luftës 21 muaj më parë.

Një ditë pas sulmit, kreu i Kishës Katolike Romake mori një telefonatë nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili tha se kisha ishte goditur “gabimisht” dhe siguroi se një hetim ishte duke u zhvilluar.

Të dielën, Papa bëri thirrje për t’i dhënë fund “barbarisë” së luftës në Gaza dhe “përdorimit të verbër të forcës”.

Selia e Shenjtë mbështet zyrtarisht zgjidhjen me dy shtete, një izraelit dhe një palestine, dhe ka njohur një shtet palestinez që nga viti 2013, me të cilin mban marrëdhënie diplomatike.

Top Channel