
Nga taksat dhe tatimet, buxheti i shtetit ka siguruar në gjysmën e parë të vitit 366 miliardë lekë, ose 3.7 miliardë euro të ardhura.
22.8 miliardë lekë më shumë para u arkëtuan këtë 6-mujor, sipas treguesve fiskalë të Ministrisë së Financave, me një rritje prej 6.7% dhe një realizim të planit në masën 100.6%.
Janë të ardhurat nga pagat dhe sigurimet shoqërore e shëndetësore që ndihmuan buxhetin. Politika e ndjekur nga qeveria për deklarimin e tyre dhe luftimin e informalitetit duket se ka dhënë rezultat.
Nga tatimi mbi të ardhurat personale u mblodhën gjithsej 40.8 miliardë lekë, ose 8.6 miliardë lekë më shumë. Ndërsa nga kontributet shoqërore e shëndetësore, 87.6 miliardë lekë, ose 9.7 miliardë lekë më shumë se 6-mujori 2024.
Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata doganore kontribuan me 113.6 miliardë lekë, me një rritje prej 3.4%. Përfshirë këtu të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare.
Nga ana tjetër, shpenzimet e përgjithshme publike për periudhën 6-mujore të vitit 2025 arritën në rreth 332.5 miliardë lekë, ose 3.4 miliardë euro. Në terma vjetorë, vetëm 40.3% e totalit të planit është realizuar nga qeveria.
Përballë të ardhurave në rritje dhe investimeve që janë kryer, niveli i suficitit arriti në 33.5 miliardë lekë, ose 343 milionë euro.
Top Channel