Prej 8 vitesh jetonte me frikë poshtë linjës së tensionit të lartë, Fiks Fare vë në lëvizje institucionet

18/07/2025 20:40

Një banor në zonën e Bathores ka jetuar për plot 8 vite me rrezikun e përhershëm të kabujve të tensionit të lartë, të cilët kalojnë brenda hapësirës së shtëpisë së tij.

Që prej vitit 2017, ai ka dërguar dhjetëra shkresa pranë Drejtorisë Rajonale të OSHEE-së në Tiranë, por nuk ka marrë asnjë përgjigje apo ndërhyrje për zgjidhjen e problemit.

Lutfi Danci tregon se fammilja e tij rrezikohet nga tensioni i  lartë i energjisë elektrike .Situata u bë edhe më e rrezikshme një vit më parë, kur një nga kabujt ra në oborr dhe shpërtheu në flakë. Zjarri përfshiu një pjesë të territorit  përpara shtëpisë dhe ndërhyrja e zjarrfikëses dhe policisë u bë e domosdoshme për të shmangur ndonjë fatkeqësi të mundshme. Banori tregon se nipërit dhe mbesat e tij luajnë çdo ditë në këtë oborr dhe se rreziku është real për jetën e tyre.

Edhe pse ka bërë dhjetëra kërkesa për zhvendosjen e linjës së tensionit të lartë, nuk është marrë asnjë masë. Kështu z. Danci i është drejtuar emisionit Fiks Fare.

Pas verifikimit të rastit në terren, ekipi i Fiks Fare iu drejtua  Drejtorisë Rajonale të OSHEE-së në Tiranë. Brenda një kohe të shkurtër, inxhinierët e institucionit mbërritën në vendngjarje dhe konfirmuan se situata kërkonte ndërhyrje të menjëhershme.

Megjithatë, sipas tyre, problemi kishte hasur vështirësi edhe më herët, pasi banori kishte refuzuar vendosjen e një shtylle ndërmjetëse, duke kërkuar në vend të saj zhvendosjen e të gjithë linjës. Sipas shpjegimeve të OSHEE-së, linja e tensionit të lartë ka qenë aty që më parë, ndërsa banori ka ndërtuar shtëpinë në afërsi të saj e më pas e ka legalizuar.

Edhe pse tani e ka privatizuar pronën, rreziku mbetet.

Pas ndërhyrjes së Fiks Fare, OSHEE vendosi më në fund shtyllën e re, duke larguar rrezikun nga banesa.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel