
Urdhrat e kryeministrit Edi Rama për të shkarkuar drejtorët e bashkisë nxiti debat mes të ftuarve në studion e “Top Story” këtë mbrëmje.
Analisti Lorenc Vangjeli e cilësoi të gabuar vendimin e kreut të qeverisë për të hequr të gjithë drejtorët. Nga ana tjetër, e cilësoi të dështuar administratën qendrore dhe vendore në vend
“Rama largoi një sërë drejtorësh. Në pamje të parë, heqja në bllok është totalisht e gabuar, se një pjesë e meriton, një pjesë jo. Nga ana tjetër, një nga dështimet më spektakolare në 35 vite është ndërtimi i administratës të shtetit shqip, qoftë në nivel qendror, qoftë lokal.
Drejtorët lokalë janë kthyer në agallarë të vegjël, në feudal, të cilët janë ca banditë në kuptimin klasik të fjalës, nuk bëjnë asnjë punë, mbushin xhepat, nuk shërbejnë. Janë rritur nën hijen e Ramës, që në rastin më të mirë s’e ka kuptuar, në rastin më të keq i ka ushqyer“, tha Vangjeli.
Ndërsa analisti Arjon Sulo theksoi se nuk është në kompetencat e kryeministrit t’i thotë kryebashkiakëve kë të heqin nga puna. Urdhrin për të liruar hapësirat publike e quan teatër dhe thotë se problemi është më i thellë!
“Rama nuk i thotë dot kryetarit të bashkisë kë të shkarkojë apo jo. Kryetari i bashkisë është i zgjedhur. Drejtorë abuzues ka pasur tërë jetën, por asnjë drejtor abuzues nuk kalon pa e parë Rama. Sidomos në Vlorë, ku Rama shkon shumë shpesh. Cili është problemi? Se nuk punojnë? Se nuk heqin karriget nga rruga Muradie që është 100 m. Ky është teatër. Problemi për mua është tjetër”, tha ai.
Sulos tha se në Shqipëri mbeten probleme serioze pastrimi i mbeturinave, furnizimi me ujë të pijshëm, ndërkohë që turizmi sipas tij, ka rënë.
“Sot ka një vendim qeverie që AKU do ristrukturohet, ndërkohë që një javë më parë tha mbylle. Me kë do ristrukturohet, me po ata që ishin! Kjo është, para zgjedhjeve shteti mbyll sytë dhe bëhen ndërtime pa leje e lloj lloj çudirash se do i marrin votat dhe pastaj pas zgjedhjeve i bie. Nuk janë tendat problem, problemi është se ka ngecur Shqipëria. Vendi nuk pastrohet dot, në Elbasan e Vlorë doli flaka. Dhe për mbeturinat apo mungesën e ujit, s’e ka fajin kryetari i Vlorës. Ti fitove zgjedhjet, si i fitove pa incenerator dhe me dioksid karboni në ajër. Për të mbuluar këtë, bëjmë këto aksione që kanë që në 2013. Në 2013, aksioni i parë ka qenë pastrimi i territorit, lokalet e bizneset do të largohen nga autostrada, akoma aty i ke. Edhe turizmi ka ngecur nga propaganda për turizëm elitar. Janë rritur çmimet. Nuk i ke më pushuesit nga Kosova”.
Top Channel