
Forcat qeveritare siriane janë tërhequr nga e gjithë provinca e Sweidës, shtëpi kryesisht e popullsisë druze, në Sirinë jugore, tha sot për AFP-në Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut dhe dëshmitarët.
Tërheqja e forcave qeveritare pasoi një marrëveshje armëpushimi të njoftuar të mërkurën. Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sarra, njoftoi gjatë natës se përgjegjësia për ruajtjen e sigurisë në Sweida, vendi i përleshjeve ndërkomunale që kanë vrarë më shumë se 350 persona që nga e diela, po u transferohej “fraksioneve lokale”.
“Autoritetet siriane tërhoqën forcat e tyre ushtarake nga qyteti i Sweidës dhe e gjithë provinca dhe luftëtarët druze u vendosën”, tha për AFP-në kreu i Observatorit, Rami Abdel Rahman.
Forcat qeveritare i thanë një korrespondenti të AFP-së pranë Sweidës se kishin marrë urdhra për t’u tërhequr pak para mesnatës dhe e kishin përfunduar tërheqjen e tyre deri në agim.
“Qyteti i Sweidës duket i zbrazët nga çdo prani qeveritare”, tha për AFP-në Rayyan Maarouf, kreu i faqes lokale të internetit Suwayda 24, duke shtuar se situata ishte katastrofike dhe se rrugët janë plot me trupa.
Përleshjet midis fiseve beduine sunite dhe militantëve druzë, të cilët kanë pasur marrëdhënie të tensionuara për dekada, shpërthyen të dielën.
Qeveria siriane vendosi forca në zonë të martën në një përpjekje për të rivendosur rendin. Por Observatori, dëshmitarët okularë dhe grupet druze e akuzuan atë për luftë kundër fraksioneve druze.
Izraeli, i cili kundërshton çdo prani ushtarake siriane pranë kufirit të tij dhe thotë se dëshiron të mbrojë komunitetin druz, u përgjigj duke bombarduar Damaskun dhe zona të tjera të vendit.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Tammy Bruce, dje i bëri thirrje qeverisë siriane të largohet nga zona e konfliktit në pjesën jugore të vendit me qëllim që të ulen tensionet me Izraelin.
Top Channel