
Arkeologët që po punojnë në brigjet e liqenit të Ohrit në Shqipëri kanë njoftuar se kanë zbuluar vendbanimin më të vjetër njerëzor të ndërtuar mbi një liqen në Evropë, duke gjetur prova të një komuniteti të organizuar gjuetarësh dhe bujqish që kanë jetuar deri në 8.000 vjet më parë.
Ekipi, i përbërë nga kërkues zviceranë dhe shqiptarë, kalon çdo ditë orë të tëra nën ujë, rreth tre metra thellësi, duke nxjerrë me kujdes shtyllat prej druri që dikur mbështesnin shtëpitë.
Studiuesit po mbledhin gjithashtu eshtra të kafshëve të egra dhe shtëpiake, objekte prej bakri dhe qeramika me gdhendje të detajuara.
Studime të ndryshme tregojnë se liqeni i Ohrit, i ndarë mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, është liqeni më i vjetër në Evropë, me më shumë se një milion vjet.
Mosha e zbulimeve përcaktohet përmes datimit me karbon radioaktiv dhe dendrokronologjisë, që mat unazat vjetore të rritjes së pemëve. Më shumë se një mijë mostra druri janë mbledhur nga vendi, i cili mund të ketë strehuar disa qindra banorë.
Top Channel