Në një postim të gjatë në platformën e tij Truth Social, Trump akuzoi përkrahësit e tij se kanë rënë pre e një “mashtrimi të majtë radikal” të orkestruar nga kundërshtarët politikë për ta diskredituar atë.
“Mashtrimi i ri do të quhet përgjithmonë Mashtrimi Epstein, dhe përkrahësit e MIJËHERSHËM e kanë gëlltitur këtë budallallëk me gjithë grep, fill dhe plumb,” shkroi Trump të mërkurën. “Këta dobësira nuk kanë mësuar asgjë, dhe me gjasë nuk do të mësojnë kurrë, edhe pas 8 vitesh mashtrime nga e Majta e Çmendur.”
Ai shtoi: “Le të vazhdojnë këta të dobët dhe të bëjnë punën e Demokratëve. As mos guxoni të flisni për sukseset tona të jashtëzakonshme dhe të paprecedenta – nuk dua më mbështetjen e tyre!”
Reagimi i Trump vjen mes një rritjeje të presionit nga baza e tij konservatore, e cila kërkon publikimin e dokumenteve të quajtura “Dosjet Epstein” dhe akuzon administratën se po fsheh informacione për të mbrojtur elitën e pasur me të cilën Epstein ishte i lidhur – përfshirë vetë Trump-in, sipas The Guardian.
Disa nga teoritë më të përhapura midis përkrahësve të Trumpit sugjerojnë se Epstein nuk vrau veten në burg në vitin 2019, por u vra për të mos zbuluar emrat e njerëzve të fuqishëm të përfshirë në rrjetin e tij të abuzimit seksual.
Në komente të tjera në Truth Social, disa përdorues e akuzuan Trump-in për mungesë transparence. “Po humb përkrahësit më besnikë, zoti President,” shkruante një komentues. Një tjetër e pyeste drejtpërdrejt: “Pse po mbron pedofilët?”
Të martën, Trump u përpoq ta zvogëlonte rëndësinë e çështjes duke e quajtur hetimin “të mërzitshëm”, por shtoi se do të mbështeste publikimin e çdo dokumenti “të besueshëm”, pa dhënë hollësi se çfarë konsideron si të tillë. “Nuk kuptoj pse rasti Epstein është me interes për këdo,” tha ai para gazetarëve. “Është diçka e ndyrë, por e mërzitshme.”
Trump, gjatë fushatave të kaluara, ka nxitur teori konspirative për ekzistencën e një “deep state” – një elitë e fshehtë që kontrollon qeverinë – duke ushqyer paranojën brenda bazës së tij.
Javën e kaluar, Departamenti i Drejtësisë dhe FBI njoftuan se një rishikim i dosjes së Epstein konfirmoi se ai kishte vrarë veten dhe se nuk kishte një listë klientësh që mund të publikohej. Megjithatë, shumë republikanë nuk janë të bindur dhe kërkojnë transparencë të plotë nga Trump dhe qeveria amerikane.