Analiza e CNN: Pse po e bombardon Izraeli Sirinë, kush janë Druzët dhe nga çfarë frikësohen ata?

16/07/2025 09:45

Përshkallëzimi i tensionit në Siri e ka rikthyer në qendër të vëmendjes pozicionin e Druzëve, një pakicë e rëndësishme fetare në rajon, si dhe rolin e dyfishtë të Izraelit si ndërhyrës ushtarak dhe një partner i mundshëm në dialogun e ardhshëm.

Ndërhyrja ushtarake e Damaskut në Sweida, një fortesë e Druzëve në jug, ka shkaktuar një raund të ri bombardimesh izraelite ndaj forcave siriane, me udhëheqjen izraelite që deklaron se mbron “aleancën e saj të thellë vëllazërore” me komunitetin Druz.

Kush janë Druzët?

Druzët janë një grup fetar dhe etnik që numëron rreth një milion njerëz, kryesisht të vendosur në Siri, Liban dhe Izrael. Ata janë një komunitet fetar i mbyllur me rrënjë në shekullin e 11-të. Në Siri, shumica e Druzëve jetojnë në pjesën jugore të vendit, kryesisht në Guvernatoratin Sweida, pranë Lartësive të Golanit. Më shumë se 20,000 Druzë jetojnë në Lartësitë e Golanit, të cilat Izraeli i pushtoi në vitin 1967 dhe i aneksoi në vitin 1981. Shumica kanë refuzuar shtetësinë izraelite, duke mbajtur kartat e identitetit sirian dhe kartat e qëndrimit të përhershëm.

Përplasjet në Sweida dhe përfshirja e Damaskut

Shpërthimi i dhunës midis forcave druze dhe fiseve nomade gjatë fundjavës la të paktën 30 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur. Ndërhyrja e ushtrisë siriane kishte për qëllim rivendosjen e rendit, por luftimet rezultuan në viktima të tjera, 18 ushtarë sirianë u vranë, ndërsa morën pjesë edhe grupe islamiste që mbështesin qeverinë e re të presidentit, Ahmed al-Sharaa.

Tensioni nxori në pah çarjet e thella në marrëdhëniet e Damaskut me Druzët, të cilët këmbëngulin në ruajtjen e milicive të tyre lokale të armatosura dhe mosintegrimin e tyre në ushtrinë e unifikuar që qeveria e re po përpiqet të formojë. Mosbesimi ndaj al-Sharaa, një islamist me një histori aktiviteti xhihadist, mbetet i fortë.

Në të njëjtën kohë, komuniteti denoncon përfaqësimin e pamjaftueshëm në qeverinë e re, vetëm një ministër druz dhe përjashtimin e udhëheqësve të saj nga proceset e dialogut kombëtar.

Qëndrimi i Izraelit dhe bombardimet

Izraeli, duke përmendur “aleancën e tij të thellë” me druzët izraelitë, ka thënë se nuk do të lejojë sulme ndaj bashkëfetarëve të tyre në Siri. Vetë Netanyahu, përmes zyrës së tij, përsëriti angazhimin e tij për të ndërhyrë sa herë që komuniteti është në rrezik. Sipas ushtrisë izraelite, të martën, automjete ushtarake siriane u goditën në zonën e Sweidës.

Izraeli gjithashtu ka shpallur në mënyrë të njëanshme një zonë të demilitarizuar në Sirinë jugore, duke ndaluar çdo grumbullim trupash në zonë, diçka që qeveria siriane e hedh poshtë si shkelje të sovranitetit të saj.

Siria i dënoi bombardimet si një “shkelje flagrante të sovranitetit të saj kombëtar” dhe një shembull të “agresionit të vazhdueshëm dhe ndërhyrjes së huaj”.

Presioni për mbrojtje ndërkombëtare

Udhëheqësi shpirtëror druz, Hikmet Al-Hijri ka bërë thirrje për ndërhyrje ndërkombëtare për të ndaluar atë që ai e quajti “luftë shfarosjeje” të zhvilluar nga forcat siriane dhe aleate. Megjithatë, një pjesë e komunitetit ka mirëpritur ndërhyrjen e Damaskut dhe ka bërë thirrje për dialog dhe çarmatim të grupeve të armatosura.

Ndërhyrja e Izraelit vjen në një moment kritik gjeopolitik, pasi qeveria e re e Sirisë është nën presion nga Shtetet e Bashkuara, të cilat po kërkojnë ta riintegrojnë vendin në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin, sipas Marrëveshjeve të Abrahamit. Edhe pse Izraeli ka filluar kontakte të drejtpërdrejta dhe të tërthorta me Damaskun, bombardimet e vazhdueshme kërcënojnë të minojnë çdo përpjekje të tillë.

Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sha’ar ka deklaruar se vendi i tij është i interesuar në zgjerimin e marrëveshjeve të normalizimit me shtetet fqinje si Siria dhe Libani, duke theksuar se qëllimi është paqja, por edhe mbrojtja e interesave jetësore të Izraelit.

Qeveria al-Sharaa, nga ana e saj, thekson se bisedimet me Izraelin synojnë ndalimin e sulmeve. Deri më tani, kjo nuk është arritur. Përkundrazi, Tel Avivi po intensifikon praninë e tij në Siri, duke forcuar retorikën e tij të luftës, me vetë Netanyahun që e përshkruan qeverinë e re në Damask si një “regjim ekstremist islamik”.

Nuk ka dritë në fund të tunelit

E ardhmja e Sirisë, druzëve dhe stabiliteti rajonal tani është në fije të perit. Ndërsa udhëheqësi i ri i Sirisë përpiqet të konsolidojë pushtetin e tij dhe të parandalojë shpërbërjen e vendit, sulmet izraelite, tensionet e brendshme etnike dhe presioni gjeopolitik nga Perëndimi krijojnë një skenar të paqëndrueshëm me një rezultat të panjohur.

Top Channel