
“Njerëzit e shkretë në Theth, i rrejtën, i blenë, i shfrytëzuan, i vjelën për nga ana monetare dhe sot po i djegin, i shkatërrojnë dhe i burgosin.” Me këtë reagim të ashpër për situatën në Theth e ka hapur meshën e së dielës, famullitari i Shkodrës, Dom Vlash Palaj.
Ai thotë se qeveria duhet të ulet e të bisedojë me malësorët për zgjidhjen dhe, nëse ata nuk pranojnë, 1 herë, 2 herë, atëherë, ashtu siç thotë edhe Krishti, leçite e veçoje.
Kjo është fjala e tij e plotë në meshë, teksa u thotë edhe emigrantëve që të mos shkojnë këtë verë në Theth, sepse do të humbasin qetësinë shpirtërore e mendore, sepse aty nuk ka më paqe:
“Një konflikt i madh atje në Theth, më vjen shumë keq për ato njerëzit e shkretë, sepse i joshën, i rrejtën, i blenë, i shfrytëzuan, i vjelën për nga ana monetare, dhe në fund i hodhën, i tradhtuan, i dogjën, i shkatërruan, do t’i gjobisin e do t’i burgosin.
Faik Konica thotë një fjalë, e cila duhet të na bëjë të reflektojmë:
E keqja më e madhe e Shqipërisë janë shqiptarët.
Por, cilët shqiptarë? Ata, të cilët s’i kanë mësuar ende fjalët e jetës.
Krishti thotë: Në qoftë se don me zgjidhë problemin me vëllain tënd, me të afërmin tënd – jemi pjesë e një kombi. Shqipëria është një fshat i vogël po ta krahasosh me vendet e tjera.
Merre përpara vëllain tënd, ulu me të, mos e kushtëzo dialogun tënd në kohë.
Kërko ta bindësh se cila është e mira dhe e vërteta. Por, mund të ndodhë që s’të dëgjon. Atëherë, të lutem, mos e dëno, mos e gjyko as mos e paragjyko, sepse nuk je ti Zoti i jetës së tij.
Thirri edhe 2–3 dëshmitarë, edhe në praninë e tyre, thuaji edhe një herë. E në qoftë se edhe ata nuk të dëgjojnë, e prapë nuk dëgjon, prapë mos u dorëzo.
Ftoje krejt bashkësinë. Uluni të gjithë së bashku. Diskutoni sesi mund të zgjidhet problemi i këtij personi. Mund të ndodhë që as ata nuk të dëgjojnë. Atëherë, kur ke bërë edhe tentativën e tretë, dhe i ke vënë në dijeni të gjithë, atëherë, kur nuk merr vesh, leçite – veçoje, thotë. Sepse nuk e do të mirën.
Kurse, në atë realitet të atij fshati malor, çfarë vërejmë?
A thua se jemi armiq të njëri-tjetrit.
Më besoni, të krishterë të dashur, dhe ju ftoj që të mendoni seriozisht në lidhje me këtë gjë.
Për shkak se populli ynë vazhdon, fatkeqësisht, me qenë i mbushur prapë me armiqësi, me urrejtje, me një varfëri të theksuar shpirtërore, atëherë nuk merr parasysh se atij tjetrit je duke ia shkatërruar jetën, edhe pse ai tjetri ndoshta ka jetuar e ka vepruar në mënyrë të gabuar.
Por, kurrë ti mos merr pretendimin se je Zoti i tjetrit.
Kërkoni të bindni njëri-tjetrin e të gjeni një rrugëzgjidhje, e cila është në të mirën e të gjithëve. Nuk është ligji mbi çdo gjë.
Ligji është mbi çdo gjë, atëherë kur ne kemi shkelur mbi njerëzinë tonë dhe kemi shkelur atë prani Hyjnore, e cila e ka stolisur jetën njerëzore për me gjetë rrugëzgjidhje më paqësore dhe më dialoguese mes vëllezërish. Duhet me ditë gjithmonë me u marrë vesh, sepse nuk zgjidhet raporti i vëllazërisë me gjykime e me dënime. Por, ata të cilët janë skllevër të jetës, skllevër të sjelljeve të saj, ata s’marrin parasysh se tjetrit i shkatërrohet jeta.
Dashtë Zoti që të piqen edhe ato kushtet kulturore, historike, njerëzore e të lartësohemi disi në ndërgjegjen tonë. Përndryshe, s’kemi me pasur kurrë paqe.
Ashtu siç shumë njerëz kanë humbur jetët e tyre, kemi shumë, shumë kujtesë të keqe nga e shkuara, sepse janë vrarë për një copë tokë, për një vijë uji, e sot duke u vrarë për disa kabina dërrasash, të cilat përbëjnë e shprehin një sakrificë të një populli, që historikisht ka vuajtur e do me mundë me jetuar e me pa vetveten se është disi i sigurt në atë dinjitetin e jetës së tij. Por ja që ka prapë shumë ligësi dhe nuk dinë me u marrë vesh për të mirën.
Zoti ia shndritë mendjen çdokujt, e çdokush ditë me u lartësu në atë dinjitetin e të qenit njerëz të shprehjes së njerëzisë, sepse jemi të gjithë bij të të njëjtit Atë, që i bie me qenë vëllezër e motra mes nesh.”
Në mbyllje të Meshës së Shenjtë, para bekimit solemn të besimtarëve, u ndal tek emigrantët dhe shtoi se:
“Pa harruar se duhet me u dhënë mirëseardhjen emigrantëve, uroj që të kaloni ditë të paqta, plot me bekime shpirtërore, qetësi e liri mendore, por edhe me pushim fizik.
Sepse pushimet duhet të jenë integrale, domethënë të gjitha aspektet e jetës njerëzore.
Fatkeqësisht, ju këshilloj të mos shkoni në Theth, se aty humbni qetësinë mendore dhe shpirtërore, e si pasojë edhe fizikisht nuk keni për të gjetur paqe.
Nuk është faji juaj.
Faji, kuptohet, është i atyre të cilët janë më shumë të prirur me bë keq dhe me shkatërru sesa me ndërtu.
Kujdes, sepse ata të cilët janë më të padrejtët, bëjnë çmos me qenë të dhunshëm për me imponu drejtësinë e tyre të tjerëve.”
Top Channel