
Një 41-vjeçar nga Maqedonia e Veriut është vënë në pranga pasi ishte shpallur në kërkim për vepra të rënda penale.
Musli Aslani kërkohej nga autoritetet austriake, për “Trafikim droge”, “Kërcënim i rrezikshëm”, “Zhvatje e rënduar”, dhe “Plagosje”.
“Në kuadër të operacionit të koduar “Operacionalja 54”, në Tiranë, u bë e mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit M. A., 41 vjeç, lindur dhe banues në Shkup, Maqedonia e Veriut.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi ndaj tij është lëshuar urdhër arresti nga Zyra e Prokurorit Publik Innsbruck, Vjenë, Austri, për kryerjen e veprave penale “Trafikim droge”, “Kërcënim i rrezikshëm”, “Zhvatje e rënduar”, dhe “Plagosje”.
Këto vepra janë të parashikuara nga Kodi Penal Austriak, ku parashikohet një dënim maksimal deri në 20 vjet burgim.
Gjatë kontrollit fizik, 41-vjeçarit iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabisi, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, njofton policia.
Interpol Tirana vijon procedurat ligjore për ekstradimin e këtij shtetasi, në bashkëpunim me autoritetet austriake.
Top Channel