
Në Sesionin e 47-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, delegacioni shqiptar paraqiti progresin e arritur në menaxhimin dhe mbrojtjen e katër prej pasurive tona më të çmuara në Listën e Trashëgimisë Botërore.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit njofton se Komiteti miratoi tri projekt-vendime që konfirmojnë angazhimin dhe përparimin e Shqipërisë në ruajtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të këtyre pasurive, duke vlerësuar në veçanti:
-Butrintin, për përmirësimet në kuadrin e menaxhimit dhe planeve strategjike, për investimet në infrastrukturë dhe monitorimin e territorit dhe për projektet kërkimore e restauruese që po zbatohen në bashkëpunim me partnerë vendas dhe ndërkombëtarë.
-Beratin dhe Gjirokastrën, për ruajtjen e integritetit historik dhe arkitektonik, përfshirjen e komuniteteve dhe përpjekjet për të balancuar turizmin me mbrojtjen kulturore.
-Rajonin e Liqenit të Ohrit, ku u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërkufitar me Maqedoninë e Veriut për mbrojtjen e një pasurie që është njëkohësisht natyrore dhe kulturore dhe ku progresi i shënuar vitet e fundit në planifikim dhe administrim u vlerësua gjerësisht.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (MTM) paraqitën një qëndrim të përbashkët për Rajonin e Liqenit të Ohrit, duke theksuar përkushtimin për menaxhim të integruar, forcimin e koordinimit ndërinstitucional dhe avancimin e bashkëpunimit me partnerët institucional të Maqedonisë së Veriut.
“Që në momentin e përfshirjes së pjesës shqiptare të Liqenit të Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore në vitin 2019, ICOMOS propozoi njëkohësisht përfshirjen e të gjithë pasurisë në listën e “rrezikut”. Ky qëndrim kërkonte të theksonte sfidat e trashëguara që nga shpallja si Pasuri Botërore e pjesës maqedonase, si dhe nevojën për ndërhyrje të menjëhershme, veçanërisht në aspektet mjedisore. Natyra ndërkufitare e kësaj Pasurie Botërore përbënte gjithashtu një sfidë komplekse që në momentin e shpalljes dhe ka kërkuar bashkëpunim e bashkërendim të ngushtë ndërmjet aktorëve në të dyja anët e kufirit. Sidoqoftë, në këto vite pune intensive, falë një përkushtimi të koordinuar, janë shënuar arritje të rëndësishme në administrimin, planifikimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të gjithë zonës rreth Liqenit të Ohrit. Veçanërisht aspektet kulturore kanë njohur një rivlerësim dhe ruajtje shumë më efikase, duke sjellë vlera të shtuara për Pasurinë Botërore.
Të tri vendimet e miratuara nga KTB janë një konfirmim domethënës i asaj që tashmë e kemi të qartë: na pret ende shumë punë përpara dhe sfida të reja për t’u përballur me përkushtim dhe vizion. Dinamika e zhvillimeve ekonomike dhe shoqërore, veçanërisht rritja e turizmit kulturor, kërkon angazhim maksimal dhe profesionalizëm të palëkundur nga të gjitha institucionet, jo vetëm nga MEKI, por edhe nga autoritetet vendore, institucionet kërkimore dhe të gjithë partnerët publikë e privatë të trashëgimisë kulturore, si në aspektin material ashtu edhe atë jomaterial“, shkruan MEKI, në një deklaratë pas Sesionit të 47-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Top Channel