
Edhe në ditën e gjashtë të prishjes se ndërtimeve pa leje në Theth pati përplasje mes banorëve dhe policisë.
Në mbështetje të banorëve shkuan edhe përfaqësuesit e opozitës. Drejtuesi politik i demokratëve në Shkodër, Luçiano Boci dhe deputeti Bardh Spahia, ku edhe ata u përplasën verbalisht e fizikisht me drejtorin e ri të Policisë së Qarkut të Shkodrës, Gentian Berberi.
“Policia dhe IKMT janë në kundërshti të plotë me ligjin. Qytetarët kanë ndërtuar shtëpiza në territoret e tyre, në pronën e tyre, në të drejtën e tyre”, tha Boçi.
“Është hera e parë që në të gjithë këto vite, Thethi dhe Dukagjini përballet me një dhunë të tillë, me një terror shtetëror të paprecedentë”, u shpreh Spahia.
Ndërkohë, në Theth mbizotërojnë uniformat e policisë. Grupe të FNSH-së nga Shkodra e Tirana kanë mbërritur në pikën turistike në ndjekje të autorëve që sulmuan me molotov fadromën e IKMT-së dhe një urë në fshat. Pamjet e sulmit tashme janë bërë publike.
Kjo situate tensioni e përplasjesh në Theth është reflektuar menjëhere edhe te turizmi, ku vetëm gjatë kësaj jave, me qindra turistë janë larguar apo kanë anuluar rezervimet e tyre për në ditët në vazhdim.
Top Channel