“Minë, minë atje”/ Satira e Gjekmarkaj: Hataja në Kryesinë e Kuvendit për të mbrojtur “Mamicën”. Braçe dhe Klosi me dylbi, ndërsa Ulsiu duket si Moisi Golemi

11/07/2025 20:20

Nga Agron Gjekmarkaj

Lëvizje të çuditshme u panë në kryesinë e Kuvendit!

Njerëzit nuk dalloheshin kush ishin, të veshur me rroba ushtarake nga ato të vjetrat, me gjethe e degë dushku, të maskuar, vraponin lart e poshtë!

Një i shkurtër, i tebdilosur si vietnamez, jepte urdhra tutje, tejhu:

“Minë, minë atje, kundërajror aty, transhe në të majtë, një pirg në të djathtë, radar mbi çati, mitraloz në shkallë!”

Një tjetër i gjatë si shul, tërhiqte një karro me një rrotullame teli me gjemba që donte ta shtrinte, i vërtitej murit të jashtëm po kaq me pushkë të gjatë me dylbi në krah!

Afrohem i pasigurt në isha në ëndërr apo në realitet! Thasët me rërë nëpër shkallë më pengonin ecjen e shikimin.

Njoha Kostaqin, që kishte marrë sembiancat e gjeneralit koreano-verior Xhiap dhe Gencin, që dukej si snajperisti Zajcev, ndonëse ishin zhigatur me baltë në fytyrë!

Sejmenët e tyre, kur më panë, më ndalën me rropamë! Po udhëheqësit, duket se më njohën! Një tra u ngrit përpjetë!

Pyeta: “Ç’po ndodh?”

Po një nervoz aty më tha: “Lëri dënglat se je mësuar ti, por jepu këmbëve, se këtu do bëhet gjëma!! Ata po të presin, kanë lënë frontin për ty”

Më zuri frika e po dridhesha! Bilbilenjtwt  ma lexuan kureshtjen e pakufi!

Nuk arrita të pyes ç’po ndodh, kur heronjtë ma afruan siç u ka hije luftëtarëve të sëres , të vendosur, ndonëse  me zë të ulët më thanë:

“Te ty kemi besim se ‘kronika’ i mban gjërat për vete, nuk bën tellall poshtë e përpjetë. Këtu do bëhet nami por ca amanete do të lihen. Po mbrojmë Mamicën nga mësymjet e gjithanshme për t’i marrë postin, gjasat qe të mbetemi mbi bedena janë të mëdha”

Po ja, Mamica ka thënë si në balada:

“Në mbetsha, syrin e djathtë ma lini jashtë të shoh Babon dhe Shqipërinë 2030,

Dorën e djathtë ma lini jashtë të përkëdhel Vin Hoxhën e Boren kur të mërziten se helbete!

Këmbën e djathtë ma lini jashtë të kolovis ëndrrat e rishtarëve në Akademi,

Dhe gjinë e djathtë ma lini jashtë të ushqej këta çamarrokët zevzeke e të, uritur pa pushtet të opozitës! Në vafsha zemër plasur shkoj se psalmet e Tonit më nuk do lexoj”!

U preka! Amanetin se tret dheu!

Po kush janë armiqtë? – pyes i llahtarisur!

Po ja, nga juglindja po sulmon Niko Nikoqire shtatë taborre! Tani është ndalur në Xhyrë dhe pret të marrë përforcime nga Tao dhe trimat e tij që të marrin gjak në vetull! Ne Elbasan i pret Sara me gjygym që të pinë ujë e drobitjen të ndalin!

Nga jugu, Tezja si Bubulina, bashkë me Termenë që ngjan me Kollokotronin, po mbledhin komitë dyfekë me gjalmë supeve e po kalërojnë – sapo kanë kaluar grykën e Mezhgoranit! Here pas here Tezja u kendon per ti motivuar!

Troku i kuajve të tyre djeg edhe barin rrugës! Në hanet e Dilo Nasufit thuhet se do gjejnë patkonj.

Ajo po i lutet Damos që ta marrë me vete si bard për t’u kënduar bëmave, por ai ka dyshime! Lira e tij është ndryshkur dhe zënë se ka të qëruar si më parë!

Nga zona e parë operative, Fatja po i bie borisë dhe kudo brigadat sulmuese po rreshtohen në Drashovicë, gati për yxhym! Vullneti mbi një mushk parakaloi para trupave te ndezura  zjarr !

Çuçin e ka caktuar si intendent, se ai  aromën e barutit e ka zët, por s’ia ka besën dhe druhet se nuk i furnizon rrugës! Ikën u punon qindin!

Nga Dibra, si në kohë të Elez Isufit  një ushtri e madhe me Belen e Ulsinë po i afrohen shkallës së Tujanit – batërdi e potere ka dhe andej! Qan fëmija ne bark të nënës! Ulsiu ngjan me Moisi Golemin! Blendi Klosi me  Braçen presin fundin e betejës e nga kodrat e Saukut shohin me dylbi.

Do bëhet Vaterlo , por ne kemi vendosur – thanë njëzëri – do biem shahit siç na ka hije, me jetën tonë do të mbrojmë qerpikët e gjatë të Mamicës, nën hijen e të cilëve fle si sheleg  një komb i tërë, që mos të përzhiten nga gjithë ajo furi!!!

Ndërkohë, tek një makinë e madhe me ushqime të thata futeshin brenda ata si Oso Kuka, mbylleshin dyert me kokërramë e po ndaheshin me të gjallët e kësaj bote me emër të përjetësisë!

Kostaqi, pasi bëri ca hapa, u kthye e më thirri:

“Dëgjo vëlla:

Në pyet Babua për mua, i thoni që u martua,

Në pyet ç’nuse mori – gjepura  kraharori,

Në pyet se ç’krushq i vanë – rilindësit anembanë.

Mbeçë, mor shok, mbëçe në pritë të Zeqinese, në qafte Jorushi per mua i thoni lot nuk dua, në pyete Mimia-i thoni po lefton vegjelia, në ardhtë Etilda te fari  i thoni le të rritet bari”!

Top Channel