
Migrimi në BE e çoi popullsinë në një rekord prej 450.4 milionë banorësh vitin e kaluar, duke kompensuar një rënie natyrore të popullsisë për të katërtin vit radhazi, sipas shifrave të publikuara nga Eurostat.
Që nga viti 2012, BE ka regjistruar më shumë vdekje sesa lindje çdo vit, duke e bërë migrimin faktorin e vetëm në rritjen e popullsisë.
Ky trend nxjerr në pah sfidën demografike në Evropë, pasi një popullsi në plakje dhe normat e ulëta të fertilitetit ushtrojnë një presion mbi sistemet e mirëqenies dhe krijojnë mungesë të fuqisë punëtore.
Blloku europian shtoi 1.07 milionë banorë në vitin 2024 me një migrim pozitiv prej 2.3 milionë banorësh që kompenson një rënie natyrore të popullsisë prej 1.3 milionësh, pasi vdekjet, 4.82 milionë vazhdojnë të tejkalojnë lindjet, 3.56 milionë.
Gjermania, Franca dhe Italia mbeten vendet më të populluara të BE-së, duke përbërë pothuajse gjysmën e popullsisë totale të BE-së me 47%.
Edhe pse 19 vende të BE-së regjistruan rritje të popullsisë në vitin 2024, tetë prej tyre regjistruan një rënie.
Rritja më e madhe, 19 për 1,000 banorë, u regjistrua në Maltë, e ndjekur nga Irlanda me 16.3 dhe Luksemburgu me 14.7.
Ndër vendet me popullsi në rënie, Letonia regjistroi rënien më të madhe me -9.9, e ndjekur nga Hungaria me -4.7 dhe Polonia dhe Estonia me -3.4 secila.
Popullsia e Europës është rritur nga 354.5 milionë në vitin 1960, megjithëse ritmet e rritjes janë ngadalësuar ndjeshëm, nga 3 milionë në vit në vitet 1960 në 0.9 milionë gjatë periudhës 2005-2024.
Top Channel