“Rritje e turistëve në Shqipëri”, Dhoma Amerikane e Tregtisë: Në disa zona, shqetësuese mungesa e ujit të pijshëm dhe keqmenaxhimi i ujërave të zeza

10/07/2025 13:19

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri në një deklaratë ka shprehur vlerësimet për impaktin pozitiv të aktivitetit turistik në ekonominë shqiptare, rritjen e investimeve private në strukturat e reja akomoduese, si dhe tendencën në rritje të fluksit të turistëve të huaj.

Në mbështetje të këtij sektori, Dhoma Amerikane shprehet se dëshiron të sjellë në vëmendje disa prej sfidave me të cilat po përballen anëtarët e tyre në këtë fillim sezoni.

Adresimi i tyre në kohë, do të ndihmojë për të ruajtur suksesin e deritanishëm të promovimit të Shqipërisë si një destinacion gjithnjë e më tërheqës në rajonin e Mesdheut, theksohet në deklaratë.

“Informacionet e përcjella nga anëtarët tanë, pjesë e këtij sektori, flasin për zona bregdetare ku vazhdojnë të mbeten shqetësuese mungesa e ujit të pijshëm, keqmenaxhimi i ujërave të zeza, djegia e mbetjeve në landfille apo vazhdimi i aktiviteteve të ndërtimit edhe gjatë sezonit turistik, duke ndikuar në këtë mënyrë funksionimin e strukturave akomoduese, por edhe cilësinë e jetesës së qytetarëve dhe turistëve në këto komunitete.

Gjithashtu, ne gjejmë me vend të adresojmë çështjen e shumëdiskutuar të mungesës së fuqisë punëtore dhe nevojën për një zgjidhje afatgjatë që fokusohet në zhvillimin, kualifikimin dhe motivimin e fuqisë punëtore brenda këtij sektori. Mungesa e një stafi të trajnuar ka vënë në vështirësi shumë biznese turistike, duke rrezikuar njëkohësisht edhe konkurrueshmërinë e Shqipërisë si një destinacion turistik krahas vendeve të tjera të rajonit”, shkruhet në deklaratë.

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri shprehet se kërkon vëmendjen e qeverisë, pushtetit lokal dhe institucioneve përkatëse për t’i adresuar këto problematika, ndërsa shton se duke do të ndihmohen jo vetëm bizneset, por edhe do të fuqizohet imazhi i Shqipërisë si një destinacion turistik në rritje.

Top Channel