
Një lodër në dukje e lezetshme dhe e pafajshme është bërë një obsesion për mijëra njerëz. Por një psikologe paralajmëron se Labubu fsheh një kuptim më të thellë psikologjik, veçanërisht për Gjeneratën Z.
Një psikologe po i paralajmëron blerësit e Labubu-ve, duke shpjeguar se këto objekte të vogla kanë një ” simbolizëm të thellë ” të papritur. Kukullat me gëzof dhe paksa të shëmtuara janë kudo. Edhe pse janë projektuar për fëmijë, kohët e fundit po i zgjedhin gjithnjë e më shumë të rritur.
Madison Burgess foli me psikologen Tracy King rreth këtij trendi në rritje të shpejtë dhe kuptimit të tij më të thellë. King, një psikologe klinike, tha se e sheh përhapjen e gjërave të tilla si ” një reagim ndaj klimës emocionale në të cilën po rritet Gjenerata Z “.
“Nga jashtë, ato janë të gjalla dhe argëtuese. Por në një nivel psikologjik, ato kanë simbolikë të thellë: ato ofrojnë momente të vogla rehatie, kontrolli dhe identiteti në një botë të paparashikueshme “, tha ajo.00
Jeta moderne si një dhomë arratisjeje
King e krahasoi jetën moderne për Gjeneratën Z me një dhomë arratisjeje, në kontrast me imazhin tradicional të “shkallës së karrierës” të brezave të vjetër.
“Në të kaluarën, kishte një ndjesi progresi, punoje shumë, ngriheshe, ndiheshe i sigurt. Tani, të kërkohet të zgjidhësh probleme pa udhëzime të qarta, të arrish qëllime të padukshme, dhe shpesh sheh që rregullat ndryshojnë plotësisht”, shtoi ajo.
Në vend që të kursejnë për një shtëpi në të 20-at, të rinjtë e sotëm po ” investojnë në të tashmen”. ” Gjenerata Z u rrit në një botë dixhitale, ku identiteti nuk merret si i mirëqenë, por formësohet. Ata kanë qenë dëshmitarë të krizave globale, pandemive, recesioneve ekonomike, shkatërrimit të mjedisit, dhe kështu qëllimet jetësore të brezave të vjetër duken të largëta”, tha King.
Labubu si një formë shprehjeje: Një trend që do të qëndrojë
Psikologia thekson se lodrat e vogla janë mjete të arritshme dhe thelbësore shprehjeje.
“Gëzimet e vogla, ngushëllimet e buta dhe blerjet që lidhen me identitetin personal marrin kuptim. Në mediat sociale, ku estetika është një mënyrë komunikimi, objekte të tilla bëhen shprehje të emocioneve, karakterit dhe identitetit shoqëror.”
Për shumë njerëz, blerja e një Labubu është gjithashtu një kthim në kujtimet e fëmijërisë.
“Këto objekte të buta dhe të gjalla ngjallin ndjenja sigurie, kujdesi dhe nostalgjie, gjëra që mund të kenë munguar ose ndërprerë herët në fëmijërinë e tyre”, thotë King.
“Kjo është ajo që ata e quajnë ‘terapi e brendshme e fëmijës’ në veprim”, tha ajo.
Psikologia beson se kultura e koleksioneve të vogla nuk do të zhduket së shpejti.
“Për sa kohë që shoqëria mbetet e fragmentuar dhe kërkuese, njerëzit do të vazhdojnë të kërkojnë mënyra të thjeshta, të vogla dhe simbolike për t’u ndjerë më mirë. Kultura e objekteve të vogla është një përgjigje ndaj lodhjes dhe shkëputjes. Kjo nuk është një modë sipërfaqësore, është një reagim psikologjik ndaj kërkesave të jetës moderne”, përfundoi ajo.
Top Channel