Fotot/ Banorët kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentraleve në lumin Shpërdhaza, Gjekmarkaj denoncon: Përfaqësues të kompanisë ushtruan dhunë

10/07/2025 12:14

Deputeti Agron Gjekmarkaj kërkoi pezullimin e koncesionit të hidrocentraleve në Kaçinar dhe ndalimin e dhunës ndaj banorëve.

Prej më shumë se 10 vitesh, thekson deputeti, banorët e fshatrave Simon, Shpërdhazë, Kaçinar, Arrëz, Shtuf dhe Kuzhnen, pjesë e Njësisë Administrative Kaçinar në Bashkinë Mirditë kanë kundërshtuar koncesionin për ndërtimin e katër hidrocentraleve në lumin Shpërdhaza, nga një kompani private.

Banorët e zonës kanë reaguar në mënyrë të vazhdueshme përmes protestave, peticioneve, padive dhe kallëzimeve penale.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar, ai ka denocuar publikisht se përfaqësues të kompanisë kanë ushtruar dhunë fizike ndaj Kol Ndojit, banor i zonës, duke i shkaktuar dëmtime serioze trupore.

Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit të Rrëshenit.

“Prej më shumë se 10 vitesh, banorët e fshatrave Simon, Shpërdhazë, Kaçinar, Arrëz, Shtuf dhe Kuzhnen, pjesë e Njësisë Administrative Kaçinar në Bashkinë Mirditë, kanë kundërshtuar me forcë koncesionin për ndërtimin e katër hidrocentraleve në lumin Shpërdhaza, nga një kompani private.

Ky projekt përbën një kërcënim serioz për jetën dhe mirëqenien e komunitetit, pasi uji i lumit është i pamjaftueshëm për të përballuar njëkohësisht nevojat për ujë të pijshëm, ujitje dhe prodhim energjie. Zbatimi i këtij projekti do të sillte pasoja të parikuperueshme mjedisore dhe sociale, përfshirë tharjen e burimeve ujore dhe shpopullimin e zonës.

Sipas banorëve dhe dokumentacionit të paraqitur, kontrata koncesionare është shoqëruar me shkelje të shumta të legjislacionit në fuqi, mungesë transparence dhe mungesë të konsultimeve me komunitetin, në të gjitha fazat e saj. Për më tepër, kompania koncesionare, përtej të gjitha afateve ligjore dhe kontraktuale dhe pas skadimit të lejeve mjedisore dhe ujore, nuk ka kryer asnjë punim për më shumë se një dekadë. Vetëm së fundmi, pas një zgjatjeje të dyshimtë të lejes së ndërtimit, është nisur puna përgatitore në terren, në mungesë të çdo transparence.

Banorët e zonës kanë reaguar në mënyrë të vazhdueshme përmes protestave, peticioneve, padive dhe kallëzimeve penale. Edhe Bashkia Mirditë ka kërkuar zyrtarisht pezullimin e punimeve. Pavarësisht kësaj, kompania, me mbështetje të qartë politike dhe me mbështetjen e strukturave të Policisë së Mirditës, ka vijuar veprimtarinë, duke ushtruar presion, kërcënime dhe kanosje ndaj banorëve.

Situata ka arritur një kulm të papranueshëm: përfaqësues të kompanisë kanë ushtruar dhunë fizike ndaj z. Kol Ndoji, banor i zonës, duke i shkaktuar dëmtime serioze trupore dhe duke e dërguar atë në spital. Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit të Rrëshenit, në afërsi të stacionit të policisë, një fakt që ngre shqetësime të mëdha për funksionimin e shtetit ligjor.

Kërkojmë menjëherë:

Komisariatit të Policisë Mirditë, Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë t’i japin përparësi hetimit të kësaj ngjarjeje të rëndë dhe të ndalojnë autorët, duke i nxjerrë përpara drejtësisë.

Institucioneve përgjegjëse shtetërore t’u përgjigjen menjëherë kërkesave të komunitetit dhe të vendosin pezullimin urgjent të koncesionit deri në një sqarim të plotë ligjor dhe faktik të situatës.

Në emër të Partisë Demokratike, shpreh mbështetjen e plotë për banorët e Kaçinarit dhe të gjithë zonës, duke theksuar se do të jemi në krah të çdo qytetari në mbrojtje të të drejtave të tij kushtetuese dhe ligjore, përballë çdo interesi privat të padrejtë apo abuziv”, ka shkruar Gjekmarkaj.

FOTO GALERI
2/9

Top Channel