Trump premton ulje tarifash për vendet afrikane, presidenti: Po e trajtojmë Afrikën më mirë se Kinën

10/07/2025 07:06

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të mërkurën se do të udhëtojë në Afrikë “në një moment” dhe do të mirëpresë udhëheqësit e pesë vendeve afrikane në Shtëpinë e Bardhë.

Trump njoftoi se vendet afrikane do të ulnin tarifat për produktet amerikane dhe argumentoi se Shtetet e Bashkuara po e trajtojnë Afrikën më mirë se Kinën. Ai tha gjithashtu se nuk mendonte se vendet pjesëmarrëse në samitin e sotëm, Gaboni, Guinea-Bissau, Liberia, Mauritania dhe Senegali, do t’i nënshtroheshin tarifave.

Presidenti i SHBA-së tha gjithashtu se brenda dy javëve të ardhshme, udhëheqësit e Republikës Demokratike të Kongos dhe Ruandës do të udhëtojnë në Uashington për të nënshkruar marrëveshjen e paqes të arritur me ndërhyrjen e SHBA-së.

Presidenti i Gabonit, tha se vendi i tij është i hapur për investime dhe do të donte të përpunonte mineralet e tij në nivel lokal, duke vënë në dukje se kjo do të kërkonte “investime të mëdha në sektorin e energjisë”.

“Ne nuk jemi vende të varfra. Ne jemi vende të pasura, për sa i përket lëndëve të para. Por ne kemi nevojë për partnerë që të na mbështesin dhe të na ndihmojnë të zhvillojmë këto burime, me partneritete që do të jenë të dobishme për të gjithë”, tha Brice Olighi Nguema.

Ai paralajmëroi gjithashtu se vendet e tjera do ta shfrytëzojnë këtë mundësi nëse SHBA-të nuk ndërmarrin hapa.

“Vendi ynë është i lirë, i hapur për të gjithë. Jeni të mirëpritur, ejani dhe investoni. Përndryshe, vende të tjera mund të vijnë në vendin tuaj”, tha presidenti i Gabonit.

Top Channel