Spiropali vizitë zyrtare në Sofie, takohet me Kryeministrin Jeliazkov: Bullgaria mbështet përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian

09/07/2025 17:25

Me ftesë të Kryetares së Parlamentit të Bullgarisë, Nataliya Kiselova, Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, në datat 9-10 korrik po zhvillon një vizitë zyrtare në Bullgari, ku do të takohet me drejtuesit më të lartë të shtetit: Presidentin Radev, Kryeministrin Jeliazkov dhe Kryetaren e Parlamentit Kiselova.

Në ditën e parë të vizitës Spiropali u prit nga Kryeministri Rossen Jeliazkov.

Kryetarja Spiropali nënvizoi se “Me Bullgarinë kemi marrëdhënie dypalëshe të shkëlqyera në të gjitha nivelet, të cilat mbështeten në miqësinë tradicionale dhe në lidhjet historike, kulturore e njerëzore midis dy popujve tanë.

Bullgaria është një mbështetëse e vendosur e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian, ashtu siç ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ku të dy vendet sot jemi partnerë të rëndësishëm e kontribues aktivë.

Organizimi në Tiranë më 16 maj i Samitit të 6-të të Komunitetit Politik Evropian përbën një moment kyç në angazhimin në rritje të Shqipërisë për sigurinë dhe paqen në Europë.

Bullgaria është një partner ekonomik tradicional i Shqipërisë dhe mes vendeve tona ka mundësi të shumta bashkëpunimi në sektorët si infrastruktura, turizmi, energjia etj., të cilat ndihmojnë zhvillimin, ndërlidhjen, bashkëpunimin dhe integrimin e rajonit. Ndërtimi i Korridorit VIII është një investim strategjik i përbashkët, thelbësor edhe për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Bullgarisë si edhe atë rajonal.

Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë prioritet i politikës së jashtme të Shqipërisë dhe të dy vendet po kontribuojnë për nxitjen e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit.

Kryeministri Jeliazkov vlerësoi marrëdhëniet, partneritetin dhe miqësinë mes dy vendeve dhe rikonfirmoi mbështetjen e vendosur të Bullgarisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe bashkëpunimin për paqen e sigurinë në rajon e më gjerë.

Top Channel