Portokalli në Gjirokastër! “Verë dhe Portokalle” elektrizon sheshin kryesor të qytetit

09/07/2025 12:26

Mbrëmjen e djeshme, qyteti i Gjirokastrës përjetoi një natë të paharrueshme nën ritmet e humorit dhe energjisë së trupës së spektaklit “Portokalli”.

Sheshi “Çerçiz Topulli” u mbush me qindra qytetarë të të gjitha moshave, të cilët ndoqën nga afër performancën e aktorëve të njohur, në maratonën e turit veror “Portokalli në Shqipëri”.

Spektakli solli një përzgjedhje të numrave më të suksesshëm, duke rikthyer karaktere të dashura dhe duke sjellë situata të reja që bënë publikun të shpërthente në të qeshura dhe duartrokitje.

Jemi në Gjirokastrën e bukur,  vendi i traditës, vendi i kulturës. Sa herë vijmë këtu, ndjejmë një dashuri shumë të madhe nga njerëzit. E shijojmë në maksimum çdo dalje në skenë. Faleminderit shumë Gjirokastër!”, shprehet aktori Irgen Çela.

Ka qenë një mbrëmje fantastike! Sidomos për mua, që në Gjirokastër ndihem si në shtëpi. Kalojmë bukur, jo vetëm unë, por edhe shokët e mi. Është ndryshe nga ekrani, sepse këtu e takojmë publikun drejtpërdrejt dhe kjo energji që shkëmbejmë me ta është e mrekullueshme. Faleminderit Gjirokastra dhe çdo qytet i Shqipërisë ku po kalojmë kaq bukur!”, shprehet aktori Erdit Asllanaj.

Përshëndetje të gjithëve! Sot jemi në qytetin fantastik të Gjirokastrës ,një qytet me shumë kulturë dhe histori, që e tregoi edhe sonte duke mbushur sheshin plot deri në fund! Nuk kishte më vende për të qëndruar, ishte e jashtëzakonshme. Gjirokastra, love you! Faleminderit shumë!”, tha aktori Visjan Ukcenaj.

Spektakli zgjati mbi dy orë, dhe publiku nuk ishte thjesht spektator por  pjesë e shfaqjes. Reagimet e menjëhershme, të qeshurat spontane dhe ndërveprimi i drejtpërdrejtë me aktorët e bënë çdo batutë edhe më të gjallë. Çdo numër përfundonte mes duartrokitjesh dhe thirrjesh entuziaste, duke krijuar një lidhje të veçantë mes skenës dhe sheshit. “Portokalli” la pas një natë të paharrueshme për Gjirokastrën, një mbrëmje ku humori bashkoi, gëzoi dhe rikujtoi fuqinë që arti ka kur ndan buzëqeshje me njerëzit, ballë për ballë.

 

Top Channel