
Presidenti, ukrainas Volodymyr Zelensky thotë se Ukraina është goditur nga sulmi më i madh ajror ndonjëherë nga Rusia, pasi 728 dronë dhe 13 raketa balistike goditën qytete në të gjithë vendin në valë të shumta.
Zelensky e dënoi sulmin rus duke thënë: “Vjen pikërisht në një kohë kur janë bërë kaq shumë përpjekje për të arritur paqen, për të vendosur një armëpushim dhe megjithatë Rusia vazhdon t’i kundërshtojë të gjitha”.
Sulmi i natës erdhi pasi presidenti amerikan, Donald Trump tha se SHBA-të do të dërgonin më shumë armë në Kiev, një përmbysje e pezullimit të javës së kaluar për të cilin media amerikane tha se Trump nuk e dinte.
Të martën, udhëheqësi amerikan shprehu zhgënjim në rritje ndaj Presidentit rus Vladimir Putin.
“Ne po dëgjojmë shumë budallallëqe nga Putini, nëse doni të dini të vërtetën. Ai është shumë i sjellshëm me ne gjatë gjithë kohës, por rezulton të jetë e pakuptimtë”, i tha presidenti gazetarëve.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Moska ishte “mjaft e qetë për këtë. Mënyra e të folurit të Trump është përgjithësisht e ashpër, si frazat që ai përdor”.
Të dy udhëheqësit kanë qenë në kontakt të rregullt, por kjo deri më tani nuk ka arritur të përkthehet në hapa të prekshëm drejt një armëpushimi në Ukrainë – diçka që Trump dikur tha se do të ishte në gjendje ta arrinte brenda një dite.
Javën e kaluar, pas një telefonate me presidentin rus, Trump tha se ishte shumë i pakënaqur.
“Ai dëshiron të shkojë deri në fund, thjesht të vazhdojë të vrasë njerëz, nuk është mirë”, tha Trump për Putinin.
Kritikat erdhën edhe pasi administrata Trump njoftoi një pezullim të ndihmës ushtarake për Ukrainën, që thuhet se u autorizua nga Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth dhe Elbridge Colby, nënsekretari i mbrojtjes për politikën.
I pyetur nga gazetarët të martën se kush e kishte marrë vendimin, Trump ulur pranë Hegseth u përgjigj: “Nuk e di. Pse nuk më tregoni?”
Përmbysja e vendimit tani mund të nënkuptojë që 10 raketa Patriot mund të dërgohen në Ukrainë, sipas portalit amerikan Axios.
Kievi mbështetet te interceptorët për të kundërshtojë sulmet me raketa dhe dronë të Rusisë, të cilat vazhdojnë të rriten.
Të martën, Trump tha gjithashtu se po “shqyrtonte” një projektligj për sanksione nga senatori republikan Lindsey Graham, i cili do të parashikonte vendosjen e tarifave prej 500% për vendet që tregtojnë me Rusinë.
Trump ka kërcënuar me sanksione ndaj Rusisë që nga marrja e detyrës në janar, por deri më tani nuk ka vendosur asnjë. Në qershor, ai deklaroi se theksoi se sanksionet “kushtojnë shumë para” dhe sinjalizoi se po priste të shihte nëse një marrëveshje midis Rusisë dhe Ukrainës do të nënshkruhej.
Megjithatë, javën e kaluar presidenti amerikan tha se ai dhe Putin kishin diskutuar “shumë” për sanksionet dhe shtoi se presidenti rus e kupton që ato mund të vijnë.
Edhe pse lindja e vendit dhe Kievi sulmohen rregullisht, asnjë cep i Ukrainës nuk është kursyer nga sulmet ruse.
Qyteti i Lutsk, i cili ndodhet 90 km nga kufiri polak dhe është një qendër tranziti për ndihmë ushtarake dhe humanitare, pësoi goditjen kryesore të sulmit të së martës gjatë natës.
Shpërthime u raportuan gjithashtu në qytetet perëndimore të Lviv dhe Rivne.
Nga ana e tyre, autoritetet ruse kanë thënë se një sulm me dron ukrainas në rajonin kufitar të Kurskut vrau tre persona dhe plagosi shtatë të tjerë të martën.
Dy raunde bisedimesh për armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainës u zhvilluan më herët këtë vit, por deri më tani nuk janë planifikuar takime të tjera dhe as Moska e as Kievi nuk duken optimistë se diplomacia do ta zgjidhë konfliktin, i cili u shkaktua nga pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022.
Ndërkohë, ofensiva verore e Rusisë në Ukrainën lindore vazhdon.
“Ne po ecim përpara. Çdo ditë të re, ukrainasit duhet të pranojnë realitetet e reja”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov.
Top Channel