Situata e zjarreve në vend/ 4 vatra aktive, ja zonat me rrezik të lartë

08/07/2025 12:45

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri, nga të cilat 4 vatra janë ende aktive.

Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë e: Finiqit, Vlorës, Selenicës, Elbasanit, Prrenjasit, Poliçanit, Bulqizës, Dibrës, Malësisë së Madhe, Vaut të Dejës, Tiranës, Kamzës, Vorës, Durrësit, Kurbinit, Pogradecit e Korçës.

Aktualisht mbeten aktive vatrat:

– Në vendin e quajtur “Sotiran” ndërmjet fshatrave Tragjas dhe Dukat, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë,në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra në lartësi të malit. Situata është mbajtur në monitorim gjatë natës. Ditën e sotme në zonë po operojnë 8 forca zjarrfikëse dhe 7 punonjës nga Shërbimi Pyjor.  Dje, në mbështetje të forcave u angazhua helikopteri Cougar i Forcës Ajrore.

–  Në monitorim mbetet vatra në fshatin Zgërbonjë, njësia administrative Vërtop, bashkia Poliçan. Zjarri nuk paraqet rrezik për përhapje.

– Ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe dëllinjanë vendin e quajtur “Livadhi i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë. Terreni është i vështirë dhe i largët, ndaj po punohet me mjete të kalueshmërisë së lartë.

–  Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, njësia administrative Lurë, bashkia Dibër. Edhe pse forcat operacionale punuan deri në orët e vona, nuk u arrit izolimi i tij. Ditën e sotme në terren janë të angazhuar: 7 efektivë zjarrfikës, 6 forca të AdZM, 5 forca bashkiake dhe 25 vullnetarë. Në mbështetje të forcave sot do të operojë edhe helikopteri i Forcës Ajrore.

Në dy raste zjarret janë evidentuar në banesa dhe një në një  godinë biznesi, ku si pasojë ka p[atur dëme të konsiderueshme materiale

Si pasojë e zjarreve të rëna kryesisht në sipërfaqe me pemë, shkurre e barishte janë djegur rreth 5 hektarë me bimësi.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 30 automjete zjarrfikëse dhe 351 forca. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 59 efektivë, 1 helikopter, 5 automjete zjarrfikëse, 1 pompë  thithëse, 2 mjete vetëshkarkuese dhe 1 traktor me zinxhirë.

Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot pritet nivel rrezik “I LARTË” pothuajse në të gjitha qarqet. Sot priten priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare, në formë shtrëngate në qarkun Shkodër.

I gjithë sistemi i mbrojtjes civile vijon të jetë në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri të plotë për ndërhyrje të shpejtë.

Në këtë situatë u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë përgjegjësi maksimale.

Top Channel