“Kuvendi, përkrahës i pushtetit gjyqësor”/ Spiropali: SPAK e GJKKO, model krahasimor për gjithë arkitekturën tjetër të sistemit! Pavarësia e tyre, jetike për drejtësinë

08/07/2025 10:50

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mori pjesë në Tryezën e Diskutimit “Vlerësimi i Arkitekturës Institucionale në funksion të Performancës dhe Integritetit të Prokurorisë së Posaçme.

Ajo theksoi se Kuvendi mbetet një nga përkrahësit më të fortë të pushtetit gjyqësor. SPAK e GJKKO, u shpreh kryeparlamentarja, janë shndërruar do të vijojnë të shndërrohen në një model krahasimor për gjithë arkitekturën tjetër të sistemit. Pavarësia dhe llogaridhënia janë njësoj jetike e të rëndësishme për veprimtarinë e organeve të drejtësisë së re, shtoi Spiropali.

Fjala e plotë e kryetares së Kuvendit:

Kuvendi i Shqipërisë, një nga pushtetet kyç në Shqipëri, si miratuesi i ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016 që jetësuan reformën në drejtësi ka qenë, është dhe do të mbetet një nga mbështetësit dhe përkrahësit më të fortë të pushtetit gjyqësor, në bazë të parimit të ndarjes, kontrollit dhe ekuilibrit të pushteteve, rrjedhojë e një akti me frymëzim politik të rëndësisë së jashtëzakonshme: ndryshimit të arkitekturës së sistemit gjyqësor.

Ndryshimi në filozofinë e ndërtimit të arkitekturës së re të drejtësisë shqiptare i ka garantuar atij diçka të paimagjinueshme më parë. I ka afruar pavarësi nga politika, dhe duke shkallmuar, në të njëjtën kohë, bunkerin e pandëshkueshmërisë që politika i kishte krijuar vetes me pushtetin e traditës.

Më pak se një dekadë nga funksionimi i këtyre dy institucioneve është një kohë e mjaftueshme, qoftë për të bërë një arsyetim të motiveve që ideuan dhe udhëhoqën këtë reformë krejt sui generis në sistemin e drejtësisë, qoftë dhe për të parë rezultatin e deri tanishëm e për të projektuar vizionin e parashikueshëm për të nesërmen.

Është bërë shumë në krahasim me të shkuarën, nevojitet të bëhet shumë më shumë në të ardhmen për t’i dhënë qytetarit shqiptar të njëjtën cilësi drejtësie si gjetkë në Evropë dhe duke e bërë vetë drejtësinë si garante të raportit mes individit dhe shtetit, me detyrat dhe detyrimet reciproke në respekt të ligjit.

Karriera në sistem që diktohej nga politika, ishte një mjet alkimist që krijonte mundësinë e shndërrimit të sistemit në klient të politikës së ditës. E bënte të varur prej saj dhe i jepte politikës një vaksinë imuniteti nga ndjekja penale për vepra në fushën e korrupsionit.

Thyerja e kësaj varësie pushtet-drejtësi, ka sjellë një përmbysje të vërtetë në realitet, e ka çuar në stenda muzeumesh kulturën e pandëshkueshmërisë. Ajo ka krijuar bindjen se askush më nuk ka garanci që në mos sot, nesër, nuk do të përgjigjet për çfarë ka bërë keq e në dëm të shoqërisë, pavarësisht ngjyrës së pasaportës politike.

Kush e njeh Shqipërinë në veçanti dhe Ballkanin në përgjithësi, e kupton forcën e pushtetit të traditës. Dhe beteja me traditën e pushtetit të përqendruar dhe mendësinë që një gjë të tillë e konsideron të paprekshme ka qenë e vijon të jetë, një nga sfidat më të vështira për t’u fituar.

Sot mund të thuhet pa dilemë se sistemi i drejtësisë është ende larg të qenit i përkryer, por është në rrugën e duhur të funksionimit, kryesisht për shkak të garantimit të pavarësisë së plotë nga humori i politikës së ditës.

Unë besoj se këto dy institucione, SPAK e GJKKO, aty ku publiku ka investuar më së shumti besim e shpresë, janë shndërruar do të vijojnë të shndërrohen në një model krahasimor për gjithë arkitekturën tjetër të sistemit, duke nisur me procese të rregullta e njehsuara, respektimin e të drejtave të individit dhe garantimit e dhënies së drejtësisë në mënyrë të shpejtë, të drejtë e të paanshme, me garanci kushtetuese.

Në një vend të vogël si Shqipëria, shpesh ndodh që edhe një individ i vetëm apo ca pak të tillë, të bëjnë diferencën dhe të afrojnë një udhëheqësi e sinergji më të madhe në procese.

Jam e lumtur të vërej se në këto institucione, pa përmendur emra të përveçëm, fatmirësisht ka individë të tillë që me guximin, përkushtimin, integritetin e profesionalizmin e tyre, kanë fituar besimin e publikut.

Progresi në këtë pikë nuk është i lehtë. Ai është një luftë e paprerë, ku duhen fituar betejat e çdo dite. Sepse përgjegjësia përpara shoqërisë në përgjithësi dhe qytetarit të ballafaquar me të në veçanti, është maksimale.

Mbas çdo shifre dhe statistike është një jetë njerëzore, një dramë familjare e sociale, koston e të cilës, për të mirë apo për të keq, e paguan gjithë shoqëria.

E duke pasur parasysh një gjë të tillë, nuk mund të le pa përmendur se ndëshkimi është diçka tjetër nga dhënia e drejtësisë, se perceptimi nuk është e njëjta gjë me vërtetimin përtej dyshimit të arsyeshëm të fajësisë së çdokujt, se shpesh procedura është po aq e rëndësishme sa dhe vetë thelbi i çështjes, se edhe kush është nën dyshim, prezumohet si i pafajshëm deri sa gjykata të vendosë ndryshe.

Këto janë disa të vërteta elementare që me raste kundërshtohet nga praktika, shpesh e ardhur si frymëzim i pushtetit të traditës së vjetër të sistemit tonë të drejtësisë.

Kuvendi i Shqipërisë ndan të njëjtin vlerësim e mbështetje me Raportin e Komisionit Europian për nevojën e progresit thelbësor në luftën kundër korrupsionit dhe sigurimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë;

Për arritjet e deritanishme dhe vijimin e hetimeve në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta, si një prioritet i rëndësishëm;

Për pavarësinë e plotë të institucioneve të përfshira në luftën kundër korrupsionit dhe inkurajimin e forcimin e kapaciteteve të tyre operacionale dhe investiguese;

Për thirrjen për ndalimin e avazit të etiketimeve e sulmeve gati të përditshme, që synojnë të intimidojnë, ndikojnë dhe minojnë punën e SPAK-ut.

Për rritjen e mbështetjes dhe të besimit publik për gjyqtarët e prokurorët, si premisa për forcimin e shtetit ligjor dhe avancimin e integrimit europian të Shqipërisë.

Duke pasur parasysh lidershipin e Kuvendit në procesin e integrimit europian, dëshiroj të nënvizoj se përshpejtimi i procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian është edhe rezultat e meritë e prokurorëve dhe gjyqtarëve të Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme, e integritetit dhe vendosmërisë së tyre për t’i dhënë fund njëherë e mirë kulturës së pandëshkueshmërisë.

SPAK, GJKKO dhe organet e reja të drejtësisë i kanë dhënë më shumë legjimitet procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në familjen europiane.

Ecuria e procesit të anëtarësimit gjatë vitit 2025 po dëshmon se ky është viti i grup-kapitullit “Themeloret”, ecuria e të cilit do të përcaktojë edhe zhvillimet edhe në grup-kapitujt e tjerë negociues. Në këtë kontekst, kuptohet sa e rëndësishme është mbështetja e funksionimit të SPAK dhe organeve të tjera të sistemit të drejtësisë.

Kuvendi ka qëndruar dhe do të jetë në mbështetje të SPAK, jo mbi të, jo përpara tij, por përkrah tij. Kuvendi ka miratuar pa asnjë hezitim kërkesat për mbështetje me burime financiare, materiale e njerëzore për SPAK-un dhe organet e tjera të sistemit, duke i vlerësuar ato si nevoja prioritare.

Kuvendi do të vijojë të garantojë që mbrojtja shumëdimensionale që i jep SPAK-ut kuadri ligjor i miratuar, të jetësohet në praktikë në lirinë e plotë për të vepruar pa asnjë ndikim nga jashtë institucionit.

Kjo garanci nuk është deklarative, por konkrete, e mishëruar në mbështetjen pa ekuivoke gjatë raportimit dhe miratimit të rezolutave vjetore të Kuvendit, por edhe gjatë bashkëpunimit tonë me institucionet e pavarura dhe agjencitë e tjera të shtetit.

Në rezolutat e vitit 2023 dhe 2024 Kuvendi ka shprehur vlerësimin e tij për veprimtarinë e SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe për përmbushjen e rekomandimeve në Kuvendit, ruajtjen e pavarësisë së tij institucionale, duke shënuar një rritje të dukshme dhe domethënëse në rritjen e besimit të publikut dhe të institucioneve ndërkombëtare ndaj Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit.

Kuvendi, si garant i ruajtjes së ekuilibrave institucionalë në shoqërinë dhe në sistemin demokratik, është njëkohësisht garanti dhe mbrojtësi i SPAK, GJKKO, BKH dhe organeve të sistemit të drejtësisë.

Kuvendi mbetet i hapur dhe mirëpret nisma ligjore dhe masa institucionale për të forcuar më tej kapacitetet e SPAK dhe strukturave përkatëse që bashkëpunojnë me këtë institucion.

Në vlerësimin e Kuvendit të Shqipërisë dhe timin si Kryetare, pavarësia dhe llogaridhënia janë njësoj jetike e të rëndësishme për veprimtarinë e organeve të drejtësisë së re.

Sinergjia midis pavarësisë dhe llogaridhënies është një kusht themelor për të ndërtuar një sistem që jep drejtësi, sipas parimit askush mbi ligjin, por edhe askush nën ligjin.

Qëllimi i Reformës në drejtësi është ndërtimi i një sistemi drejtësie me standarde europiane dhe krahas tyre edhe respektimi i standardeve e garancive kushtetuese dhe të drejtave themelore të njeriut.

Pavarësia është reale dhe efektive kur realizohet e lidhur ngushtë me përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien para Kushtetutës, Republikës dhe qytetarëve. Nga ana tjetër, kjo e fundit nuk e kufizon, por i jep pavarësisë më shumë legjitimitet.

Në rolin tim si Kryetar Kuvendi, e konsideroj mision ruajtjen e ekuilibrit institucional, një ekuilibër që nuk ka të bëjë me heshtje përballë gabimeve, por me ndërtimin e një raporti të shëndetshëm midis pavarësisë dhe kontrollit demokratik.

Ky është thelbi i parlamentarizmit: të mbështesësh institucionet pa u ushtruar presion, të kërkosh llogari pa penguar veprimin e tyre.

Për të kërkuar llogari, pa cenuar pavarësinë aq të kërkuar. Dhe për ta udhëhequr vendin në një rrugëtim që nuk ka kthim: drejt demokracisë funksionale dhe integrimit europian.

Top Channel