Tarifat e Trump/ Presidenti njofton taksa 40% për disa shtete, iu lë afat të fundit 1 gushtin për të rinegociuar marrëveshjet tregtare

07/07/2025 22:46

Në letrat drejtuar udhëheqësve të Japonisë dhe Koresë së Jugut, Donald Trump njoftoi vendimin e tij për të vendosur tarifa prej 25% për importet nga të dy vendet, duke filluar nga 1 gushti.

Siç njoftoi ai përmes platformës Truth Social, ky veprim synon të ushtrojë presion për të rinegociuar marrëveshjet tregtare, me deficitet tregtare në kulmin e tyre.

Sipas CNN, disa orë më vonë, Trump zbuloi se letra përkatëse iu dërguan edhe qeverive të Malajzisë, Kazakistanit, Afrikës së Jugut, Mianmarit dhe Laosit, me një paralajmërim për tarifa që mund të arrijnë deri në 40%.

Sipas sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Caroline Leavitt, gjatë ditës do të dërgohen gjithsej dymbëdhjetë letra të tilla.

Në letra pothuajse identike drejtuar Tokios dhe Seulit, presidenti amerikan shprehu zhgënjimin e tij për deficitin tregtar të Uashingtonit me të dy vendet.

Ai theksoi se këto tarifa janë “shumë më poshtë se sa është e nevojshme për të eliminuar deficitin” dhe u bëri thirrje biznesmenëve japonezë dhe koreano-jugorë të zhvendosin prodhimin e tyre në SHBA për të shmangur masat.

Trump madje paralajmëroi se nëse të dy vendet përgjigjen me tarifat e tyre, atëherë norma do të rritet me 25% shtesë, duke arritur nivele të paimagjinueshme. Në të njëjtën kohë, ai ofroi stimuj për licencimin e shpejtë të projekteve të investimeve në SHBA.

Sipas shifrave të Departamentit të Tregtisë të SHBA-së, në tërësi, SHBA-të blenë mallra me vlerë 351 miliardë dollarë vitin e kaluar nga shtatë vendet që morën letra sot. Japonia dhe Koreja e Jugut, partnerët e gjashtë dhe të shtatë më të mëdhenj tregtarë të Amerikës, përbënin 80% të kësaj shume, duke dërguar gjithsej mallra me vlerë 280 miliardë dollarë në SHBA vitin e kaluar.

Afati fillestar për marrëveshje të reja tregtare ishte 9 korriku. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti do të nënshkruante një urdhër ekzekutiv që e zgjaste atë deri në gusht për të lejuar kohë për negociata, për të cilat, siç tha Leavitt, “udhëheqësit e huaj po luten vazhdimisht”.

Megjithatë, vetëm tre marrëveshje janë përfunduar në tre muajt e fundit.

Njoftimet patën një ndikim të menjëhershëm në tregje. Aksionet e kompanive me baza të forta prodhuese në Japoni dhe Korenë e Jugut regjistruan humbje të konsiderueshme: Nissan ra me 7%, ndërsa aksionet e Toyota dhe Honda ranë me 4%.

Top Channel