
Takimi i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu me presidentin amerikan, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë do mbahet pa asnjë deklaratë për shtyp.
Sipas planit edhe mbërritja e Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë në orën 6:30 të mbrëmjes sipas orës lokale nuk do bëhet në praninë e shtypit. Më pas, të dy udhëheqësit do të kenë një darkë private së bashku me gratë e tyre.
Ndryshe nga dy vizitat e mëparshme të Netanyahut këtë vit, nuk është planifikuar asnjë konferencë për shtyp apo foto në Zyrën Ovale.
Para darkës me Trump, Netanyahu do të takohet me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, dhe të dërguarin special të SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, në Blair House, ku banon kryeministri izraelit.
Të martën, Netanyahu është planifikuar të takohet me zëvendëspresidentin e SHBA-së, J.D. Vance, dhe anëtarët e Kongresit në Capitol Hill.
Të mërkurën, ai planifikon të takohet me Sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, në Pentagon, përpara se të organizojë një gala për udhëheqësit hebrenj dhe ungjillorë.
Netanyahu pritet të kthehet në Izrael të enjten.
Top Channel