
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sërish një vizitë në bashkinë e Vlorës këtë të hënë.
Ai ka zhvilluar një takim prej 50 minutash në bashkinë e Vlorës me grupet e punës ku prezent kanë qenë deputetë, ministri Pirro Vengu dhe kreu i bashkisë Ermal Dredh.
Më pas ai ka dalë për të inspektuar zonën e Muradies pas hapjes dhe largimit të sendeve që kanë zënë hapësirat publike.
Kryeministri Edi Rama: Mirë duke qenë se ka filluar një operacioni i gjerë në Vlorë për të adresuar një sërë problemesh që kanë të bëjnë me territorin, atëherë ishte udhës që me ardhjen për herë të dytë këtu, të bëja edhe një komunikim me juve që jeni të mediave lokale, po dhe korrespondent të mediave kombëtare për t’iu informuar lidhur me këtë operacion edhe për t’iu përgjigjur pyetjeve që mund të keni.
Vlora është një bashki ku ka pasur një volum shumë të madh investimesh dhe ku patjetër ka nevojë për ende të tjera investime, por njëkohësisht investimet e bëra duhet të garantojnë një ecuri pozitive të të jetës sociale dhe ekonomike të qytetit, pasi në të gjitha territoret ku janë kryer investime, është rritur vlera e pronës, është rritur pa diskutim dhe xhiroja e njësive të shërbimit dhe natyrisht kjo sjell edhe rritjen e të ardhurave të bashkisë, edhe kështu shkon i gjithë zinxhiri, por duke qenë se nga pikëpamja e turizmit Vlora është një nga pikat kyçe dhe numri i vizitorëve dhe i turistëve gjatë sezonit rritet në mënyrë shumë të ndjeshme, atëherë edhe nevoja për të përballuar problematikat që bëhen edhe më të mëdha për shkak të numrit të madh të vizitorëve bëhet më e madhe.
Një nevojë që duhet adresuar në një qasje shumë më aktive dhe shumë më të fokusuar në të gjithë territorin, gjë që nga ana tjetër kërkon që të zgjedhurit e Partisë Socialiste në Vlorë të vazhdojnë të mbeten të lidhur me territorin në mënyrë shumë specifike dhe jo vetëm ata që u zgjodhën nga qytetarët për t’i përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë me një numër rekord, por edhe nga ata që ishin pjesë dhe janë pjesë e grupit tonë përfaqësues dhe nuk do të jenë në Kuvendin e Shqipërisë, por do të mbulojnë detyrat e tjera dhe kjo kërkon një frymë skuadre të vazhdueshme dhe një kontakt të vazhdueshëm me qytetarët.
Ne duhet ta kapërcejmë kohën e deputetëve që shfaqeshin shumë pak në territor dhe që ankesat apo kritikat për punën e pushtetit vendor apo për punën e institucioneve qendrore në territor, i bënin vetëm nëpër kafene.
Kemi folur për një qasje të strukturuar dhe praktikisht të gjithë përfaqësuesit e grupit të deputetëve që ishin në listën e 11 majit në Bashkinë e Vlorës, janë drejtpërdrejtë të përfshirë në mbulimin e territorit, duke shpërndarë kështu barrën e mbulimit të territorit dhe e mbulimit të komuniteteve në më shumë supe dhe natyrisht, duke shfrytëzuar faktin që kemi në Vlorë disa deputetë dhe deputete që janë praktikisht, përfaqësues në Kuvendin e Shqipërisë.
Problemi i hapësirave publike është një problem i madh në Vlorë, e kemi trajtuar me shumë vëmendje, edhe tani është koha për ta trajtuar me shumë rigorozitet në territor. Natyrisht që nuk ka absolutisht asnjë tendencë për t’i ngushtuar frymëmarrjen bizneseve, por ka një domosdoshmëri për të harmonizuar plotësisht interesat e të dyja palëve me prioritet qytetarët që ecin në këmbë.
Lungomare e cila u bë motori i transformimit urban, por edhe i një transformimi të ekonomisë vendore në aspektin e vlerës së shtuar që krijoi, duhet të kalojë tani në një nivel tjetër të paraqitjes edhe të shërbimit. Kioskëzimi i trotuarit është i papranueshëm dhe pasi është krijuar plotësisht trotuari i dedikuar vetëm për këmbësorët, do t’u jepet të gjithë njësive të shërbimit Lungomare dhe një dizajn i ri. Shpresojmë ta keni gati në shtator-tetor, që kemi filluar ta punojmë, në mënyrë që të harmonizojmë nevojën e tyre dhe interesin e tyre për të pasur një shërbim të mjaftueshëm me nevojën e qytetit për të pasur një dukje sa më spektakolare.
Nga ana tjetër, ajo është pasqyra kryesore, pasqyra e sallonit po themi, por ajo problematikë aty është në të gjitha rrugët e Vlorës ku ka njësi tregtare dhe në të gjitha rrugët, do veprohet në funksion të këmbësorëve.
Problemi tjetër në Vlorë janë parkimet. Kemi filluar punën për dy parkime të mëdha publike nëntokësore dhe do të vazhdojmë edhe më tutje me të tjera investime në këtë drejtim, por nga ana tjetër, kjo nuk justifikon parkimin me vend e pa vend, kjo nuk justifikon abuzimin e drejtuesit të automjeteve me këmbësorët dhe për këtë arsye Policia Rrugore në Vlorë do të jetë shumë e ashpër me të gjitha parkimet e pavenda apo me parkimet që bllokojnë qarkullimin ose që pengojnë qarkullimin në rrugët e Vlorës.
Problemi tjetër, i cili tani me sa mua më rezulton është disi më i adresuar, por prapë, duhet adresuar në mënyrë të strukturuar, është problemi i ujit të pijshëm për shkak të ngarkesës së madhe që ka qyteti në këtë periudhë, po dhe për shkak të investimeve që duhet të vazhdojnë. Ama, çfarë është konstatuar, sidomos deri përpara 10 ditësh ka qenë një keq menaxhim total i ujësjellësit nga ana e strukturave vendore dhe kjo e kombinuar me një abuzim të madh me ujin e pijshëm nga konsumatorë që e përdorin ujin e pijshëm për të ujitur bahçet dhe për të larë makinat.
Ky nuk është një fenomen thjesht i Vlorës, ky është një fenomen në shumë qytete dhe për këtë arsye, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po përgatit një paketë të re ligjore për sa i përket ujit të pijshëm me të cilën shpresoj, uroj dhe besoj, do të pagëzojmë mandatin e katërt, që do të adresojë në kompleks problemin e përmirësimit të mëtejshëm të furnizimit me ujit të pijshëm, sidomos në zonat turistike.
Këto ishin pak a shumë ato që unë mund të them, ndërkohë që më vjen mirë që drejtorët e Bashkisë Vlorës e kanë kuptuar mesazhin që qyteti është mbi të gjithë dhe mbi të gjitha dhe që janë të papërshtatshëm për të vazhduar të kryejnë atë detyrë.
Natyrisht që secilit dhe secilës mund t’u jepen mundësi të reja në të ardhmen, por në ndërkohë, dua t’i ftoj të gjithë, të gjithë vajzat, djemtë, gratë, burrat profesionistë në Vlorë, që të aplikojnë për të shërbyer në administratën e Bashkisë së Vlorës, duke i siguruar që ne do të jemi shumë kërkues dhe shumë rigorozë në funksion të meritës.
Secili dhe secila sipas meritës, sipas profesionit, sipas vullnetit që do të shpreh në këtë proces dhe e njëjta gjë do të vlejë edhe për drejtuesit e institucioneve qendrore në qarkun e Vlorës, që edhe ata janë dorëhequr dhe i falënderoj dhe i përshëndes dhe asnjë person që ka mbuluar pozicionet drejtuese në bashkinë e Vlorës ose në qarkun e Vlorës, nuk do të rimerret si drejtues në këtë fazë. Të gjithë drejtuesit do të jenë të rinj.
Kam një thirrje të veçantë për pedagoget dhe pedagogët e universitetit. Natyrisht që, puna e tyre në universiteti është shumë e vyer dhe shumë e respektuar, por janë të mirëpritur që të kontribuojnë më shumë për qytetin edhe cilado dhe cilido prej tyre që do të dëshirojë të afrohet në administratën e bashkisë apo të afrohet në rolet drejtuese në institucionet qendrore do të jetë i mirëseardhur dhe i trajtuar me shumë respekt. Natyrisht që vlerësimi pastaj do të bëhet sipas performancës së secilit në procesin e përzgjedhjes, që do të jetë një proces transparent sipas ligjit, konkurrues dhe meritokratik.
Po ashtu, të gjithë ata që kanë studiuar në Vlorë apo në Tiranë apo jashtë vendit, edhe që janë të dëshiruar për të shërbyer për administratën e shtetit apo për administratën vendore të Vlorës, e që ndërkohë punojnë kamerierë apo punojnë në punë të tjera, janë të mirëpritur të vijnë dhe të provojnë veten në konkurset që do të organizohen shumë shpejt.
Bashkia do të konfirmojë të gjitha dorëheqjet dhe do të hapi garat dhe njëkohësisht, e njëjta gjë do të ndodhi edhe me institucionet qendrore, kështu që të gjithë janë të mirëpritur të përfaqësojnë ambicien edhe të shprehin dëshirën konkretisht, duke aplikuar.
Ajo që ne kemi bërë në Vlorë me grupin e deputetëve, që na dha edhe një rezultat shumë pozitiv, është vetëm fillimi dhe është vetëm hapi i parë në një rrugë transformimi, ku Vlora duhet të bëhet një model i një administrate që i shërben qytetarëve, dhe Bashkia e Vlorës do të bëhet një model i pagjumësisë.
Kjo është në përgjithësi ajo që mund të them, po meqë jemi këtu, edhe meqë këtu janë edhe mediat lokale dua të them që një kapitull i ri do të fillojë edhe për Partinë Socialiste të Vlorës, ku janë komanduar dy bashkëkryetarë të rinj, Erjona dhe Klevisi, të dy nga grupi i 11 majit, Erjona është deputete, ndërkohë Klevisi është këtu në Vlorë për të mbajtur shtëpinë hapur në mënyrë të pandërprerë shtëpinë e Partisë Socialiste.
Kështu që detyra e tyre është shumë e ngjashme me frymën edhe me parimet që unë përmenda. Të gjithë kryetarët e organizatave do të vlerësohen sipas performancës së tyre në 11 maj dhe nga ana tjetër, partia do të hapet totalisht për të sjellë prurje të reja dhe po ashtu, do të krijojë edhe grupet qytetare që do t’i bashkohen pa pasur detyrimin që të anëtarësohen në Partinë Socialiste, po për të krijuar hapësirat e diskutimeve dhe për hapësirat e dialogut për Vlorën.
Ne jemi shumë krenarë që ia dolëm që të kemi një grup përfaqësues që praktikisht vë Vlorën mbi krahët, edhe që përfaqësohet me të dy krahët në pikëpamje të sensibiliteteve po flasim, se të gjithë janë anëtarë dhe anëtarë të grupit socialist, por nga rrugë dhe sensibilitete të ndryshme dhe të njëjtën gjë duam të bëjmë në të gjitha nivelet këtu në Vlorë, të majtë, të djathtë. Këtu s’ka të majtë e të djathtë, këtu ka parazit, edhe ka njerëz të interesuar, të përkushtuar, edhe të gatshëm për t’i shërbyer Vlorës. Parazitët janë edhe të majtë dhe djathtë, edhe këta të dytët që thashë janë edhe të majtë edhe të djathtë. Kështu që ne jemi me këta të dytët, prandaj jemi gjithmonë të parët.
Asnjë parazit nuk mund të pretendojë asgjë nga ne, se me demek është socialist, ashtu si kundër, asnjë njeri i aftë, i dëshiruar, i interesuar dhe me ambicie nuk mund të pengohet të bashkohet me ne dhe të punojë me ne, se është i djathtë, kaq e thjeshtë është qasja që ne kemi zgjedhur dhe shpresoj shumë që me këtë qasje do të bëjnë gjëra shumë të mira për Vlorën.
Tani jam i gatshëm t’i përgjigjem pyetjeve tuaja, nëse keni natyrisht
– Janë disa pyetje në fakt, po e nis nga fillimi me çështjen e hapësirave publike. Pse qyteti i Vlorës ose i qytetarëve të Vlorës duhet t’i shërbehet momentit që vini ju, ndërkohë që është një problematik që të paktën për qytetin lokalisht është ngritur qindra herë, çështja e zaptimit të hapësirave publike, pse duhet të vini ju? Dhe sa i takon atyre personave që janë përgjegjës, të paktën ligjërisht, flasim për ndërhyrjet në objekte të cilat janë me leje, por edhe të legalizuara, do të ketë përgjegjës?
Kryeministri Edi Rama: Jo, nuk jemi këtu në një marrje pyetje në hetuesi. Bëj pyetjet që ke dhe unë të përgjigjem, po jo “kjo është e para”, se ka dhe të tjerë, kupton?
– Mund të kenë të njëjtat pyetje që kam unë, kështu që po ua lë radhen.
Kryeministri Edi Rama: Jo, bej pyetjet që ke për të bërë. Dy, tre s’ka rëndësi.
– Kjo është e Pyetja e parë: do të ketë përgjegjës për situatën e krijuar sa i takon hapësirave publike? Çështje tjetër të paktën për Vlorën, është shumë e kollajshme për t’u verifikuar, me një xhiro të thjeshtë që mund ta bëjë kushdo në transballkanike apo edhe Lungomare së fundmi katet shtesë nëpër pallate. Është një çështje që të paktën personalisht e kam adresuar disa herë në institucione vitin e kaluar, edhe para një viti e gjysmë, dy vitesh, tek të gjitha institucionet dhe nuk ka asnjë përgjigje. Katet shtesë pa leje nëpër pallate. Vlora është e tej mbushur.
Një tjetër çështje dhe një tjetër pyetje për çështjen e dorëheqjes, e kemi histori të përsëritur në Vlorë. Ka qenë i deleguar i drejtuesit politik Klosi, më pas Belinda Balluku ka ardhur në Vlorë dhe u ka kërkuar dorëheqje drejtorëve dhe nuk ka pasur asnjë rezultat. Për drejtorët me varësi nga qendra, jo ata të bashkisë. Pse këtë herë do të ketë rezultat dhe pse këtë herë duhet të besojmë se këta drejtorë që kanë nga 20 e gati 30 vite që drejtojnë, do të largohen këtë herë? Dhe vlerësimin e këtyre drejtuesve të rinj, krijon precedencë lënia në dorë të një komisioni, që mund të kenë preferencat e tyre, edhe pse duhet t’i besojmë këtij komisioni, që drejtuesit e rinj do të jenë të duhurit. Duke qënë se vlerësimi të paktën nga ana juaj, me anë të mesazheve, nuk pi më ujë, sikurse keni thënë dhe jeni lodhur nga mesazhet nga qytetarët e Vlorës. Pse duhet të kemi besim tek Zoti Çuçi apo te Zoti Vëngu, që drejtuesit e ri do të jenë të duhur?
Kryeministri Edi Rama: Tani në parim, ti nuk duhet të kesh besim tek askush përveçse te vetja jote. Edhe mos beso, vetëm kontrollo. Kjo është detyra jote edhe bëje me të gjithë të gjithë forcën e pasionit që ke për gazetarinë. S’je fare e thirrur në asnjë apel për të pas besim, mosbesim total. Rri aty, mos lëviz.
Natyrisht, që si të gjitha punët edhe kjo është një punë ku përzgjedhja bëhet me qëllimin më të mirë, po mund të funksionojë, mund të mos funksionojë. Gjërat prandaj janë gjithmonë në lëvizje. Kështu që, nuk ka ndonjë rrugë tjetër, rruga është e njëjta. Shpallet interesi nga ana e institucioneve. Njerëzit që kanë ambicie dhe që kanë dëshirë aplikojnë, ndërtohet një proces dëgjesash, pastaj ka dhe një proces të dytë, që është procesi që është i imponuar nga ligji. Ajo që praktikisht do të bëjë grupi i punës që ne kemi ngritur është një monitorim i këtyre burimeve njerëzore, sepse grupi i punës që ne kemi ngritur nuk ka kapacitet vendimmarrës. Kapaciteti vendimmarrës buron nga legjislacioni në fuqi që do të ndiqet gërmë për gërmë. Për sa i përket pjesës së dorëheqjeve, dorëheqjet janë vullnetare. Kush ka që i përgjigjen thirrjes, ka dhe ndonjë që s’i përgjigjet thirrjes, është individuale kjo gjë, po më vjen shumë mirë që masivisht drejtuesit e Bashkisë Vlorës janë përgjigjur thirrjes, sepse shpresoj unë të paktën, unë kështu e kuptoj, e kanë ndjerë, e kanë kuptuar që është e kotë që të pretendojnë që mund të rrinë aty në kushtet kur në shumë aspekte, performanca nuk është ajo e dëshiruar.
Tani, për sa i përket pyetjes tjetër, unë mendoj që Vlora sot është shumë më mirë se dje, pa diskutim. Gjithë këto ndërhyrje që ne bëjmë janë për ta përmirësuar më tutje dhe natyrisht që ka gjithmonë një kohë kur problemet mbarten dhe shfaqen më qartë, për më tepër që kemi pasur procese që kanë marrë kohën dhe vëmendjen e tyre, por ka një gjë që është kryesore. Tek ato 83 mandatet që ne kemi marrë dhe ato 9 mandatet që kemi marrë në Vlorë janë gozhda në të ndenjura kur ulesh në karrige, për mua. Dëshiroj dhe shpresoj që edhe të tjerët t’i ndiejnë po ashtu, që të mos i zërë vendi pa përmirësuar çdo ditë, çdo orë nga një gjë sepse është një besim i madh dhe është një përgjegjësi shumë e madhe. Dhe ajo që unë ndjej dhe kuptoj është një pjesë nuk e ndjejnë dhe nuk e kuptojnë kështu. Dhe prandaj duhet të bëjmë maksimumin që sa më shumë prej nesh ta ndjejë dhe ta kuptojnë kështu këtë gjë.
Për sa i përket kateve shtesë, katet shtesë janë vepër penale. Kështu që, në qoftë se juve keni konstatuar të tilla, është mirë që t’i denonconi penalisht dhe nëse doni dhe ndihmën dhe mbështetjen time, m’i bëni dhe mua me dije dhe të luftojmë bashkarisht. Nëse janë vërtetë kate pa leje, kur janë bërë, si janë bërë, dhe unë jam shumë i gatshëm që t’ju ndihmoj, megjithëse shpresoj që këtë gjë ta bëj kryetari i bashkisë, menjëherë mbas takimit tonë, këtu sot. Se dhe kryetari i bashkisë ka nevojë për nxitje, siç edhe e kemi kuptuar të gjithë.
Për sa i përket pjesës tjetër të përgjegjësve për këtë apo për atë, këto janë çështje specifike, janë çështje të ndara, por kini parasysh një gjë, unë nuk justifikoj askënd dhe as veten time, por kini parasysh një gjë, që jemi në kushtet kur në territor kemi edhe prokurorë që janë përtej, që nuk i kap dot asnjë kategori e ulët njerëzore edhe fjala skandalozë iu bën nder, sepse janë më shumë sesa skandalozë.
Jo më larg se sa dje kam parë një situatë të pabesueshme në Theth, ku dikush ka instaluar krejtësisht pa leje një fshat të tërë turistik mu në mes të Thethit, aty ku deri dje ishte ajo fusha e bukur që ka mbushur rrjetet sociale të mbarë botës. Dhe faktikisht, ajo ndërhyrje është konstatuar nga forcat përgjegjëse që merren me mbrojtjen e territorit. Është konstatuar, edhe është denoncuar edhe nga Policia e Shtetit dhe një prokurore që ne do të angazhohemi ta dërgojmë përpara Këshilli të Lartë të Prokurorisë me shpresën që Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të marrë masë për ta larguar nga radhë e Prokurorisë, ka bërë një arsyetim fantastiko – shkencor në kuptimin e filmave fantastiko-shkencor, që nuk ka mëndje që e kap, se ku e ka pasur fjalën, por që pa diskutim e bën qesharake të gjithë Prokurorinë shqiptare.
Dhe po ju lexoj, sepse e kam ndarë me disa njerëz, duke u përpjekur ta përkthej dhe po e ndaj edhe me ju, dhe me këtë rast, mbase e ndani edhe me publikun.
“Përsa i për përsa i përket”, thotë, “anës subjektive të kësaj figure krimi. Pra, të ndërtimit pa leje”, – që pranon që është një krim, “fillimisht thotë evidentohet se ky element i figurës së veprës penale lidhet me qëndrimin psikik që mban personi kundrejt veprës së kryer prej tij. Ana subjektive karakterizohet nga dy elementë përbërës”.
Kjo është në vendimin zyrtar të mosfillimit. Aty është fshat turistik pa leje, në mes të Thethit.
“Faji pa të cilin nuk mund të ketë përgjegjësi penale, “Nullum crimen, nulla poena sine culpa”, di dhe latinisht kjo. Neni 4, të dy format e tij, dashjen dhe pakujdesinë, si dhe nga motivet dhe qëllimet. Figura e veprës penale, ndërtimi i paligjshëm, parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal, kërkon si formë faji dashjen e drejtpërdrejtë. Gjithashtu, vlerësohet se ana subjektive e figurës së veprës penale zbulohet dhe qartësohet nëpërmjet anës objektive. Sepse proceset e brendshme psikike dhe psikologjike, jo vetëm që i ngacmohen nga faktorë të jashtëm, por edhe materializohen në veprimtarinë kriminale gjatë dhe nëpërmjet procesit të zhvillimit të anës objektive. Në këto kushte, përderisa nuk provohet”, – thotë, unë nuk di çfarë nuk u provua këtu, “se ka fakt penal, atëherë nuk kemi as faj pasi mungon si elementi intelektual, ashtu dhe ai volutiv, që të ekzistojë faji si element thelbësor i përgjegjësisë penale”.
Dhe ai palaço që ka vajtur, ka pushtuar qendrën e qytezës më të bukur të Shqipërisë që është një nga pikat më të kërkuara turistike të vendit dhe ka ndërtuar aty një fshat pa leje, duke terrorizuar gjithë banorët që kanë pasur frikë, por që sidoqoftë, edhe Inspektoriati dhe Policia e kanë denoncuar qysh në fillim të vitit, mund të vazhdojë tani i qetë sipas Prokurores, sepse psikika e tij është e pafajshme, pra gjatë kohës që ai ka bërë gjithë këtë fshat turistik, në psikikën e tij, ai ka pasur një qëllim të mirë dhe pavarësisht se qëllimi i tij i mirë shkon ndesh me Kodin Penal, në fakt, prokurorja vendos që duke konstatuar që në qëllimin e tij të mirë nuk ka një element intelektual i veprës penale, të shpallë mosfillimin e çështjes, kështu që nuk çuditem sikur të ketë edhe kate pa leje në ndërtimet me leje Vlorë, por duhen konstatuar edhe duhen çuar përpara ligjit. Ndërkohë që ne vazhdojmë dhe kemi, besoj unë, rezultate shumë domethënëse me sekuestrimin, konfiskimin e shtesave pa leje në ndërtimet me leje dhe do ta shtrëngojmë shumë akoma më tepër këtë gjë. Kjo është pak a shumë përgjigja e gjatë e tre pyetjeve.
– Zoti Rama përshëndetje. A ka afate kur do të përfundojë ristrukturimi i administratës vendore dhe qendrore? Pyetja e parë, pyetja e dytë; të gjithë drejtuesit e Bashkisë së Vlorës, ju thatë kanë dhënë dorëheqjen, por çfarë faj kanë institucionet apo drejtuesit e arsimit, më fal të kulturës apo sportit me problemet e qytetit dhe kjo bashki nuk ka patur të gjithë, i ka patur jo profesionistë gjatë këtyre viteve?
Kryeministri Edi Rama: Këtë çështjen e sportit e dëgjova edhe nga dikush tjetër, edhe natyrisht, këtu nuk është qëllimi për të ndëshkuar sportistët dhe për të lënë sportin pa drejtim, por nëse doni përgjigjen time, përgjigjja ime është shumë e thjeshtë: Po të isha unë drejtues, qoftë edhe i sportit në Vlorë, nuk do i ndahesha derës së bashkisë për malin me plehra tek dera e Pallatit të Sportit dhe për sa kohë, unë e shoh malin me plehra, edhe e kapërcej si pengesë sportive, mund të jem sportist shumë i mirë, por kam një problem si qytetar, i cili paguhet nga qytetarët e tjerë për t’i shërbyer qytetit bashkë me të tjerët, më kupton? Pra, kjo është diçka që nuk ka lidhje me cënimin individual të askujt, por ka lidhje me domosdoshmërinë që Bashkia e Vlorës të ringrihet në radhë të parë moralisht. Sepse është e papranueshme, është e pakonceptueshme për mua që në Vlorë të bëhen plehrat pirgje dhe faji të jetë gjithmonë i dikujt tjetër. Natyrisht që këtu ka si kudo problem edhe me qytetarët që shfaqin papërgjegjshmëri në raste të caktuara, por unë mendoj që qytetarët janë të fundit, të cilët mund t’i kërkojmë llogari nëse ne nuk bëjmë pjesën tonë. Pra, duhet njëherë të pastrojë Bashkia ashtu si duhet, duhet bashkia të tregojë në çdo lagje që është aty, e përkushtuar për të pastruar atë dhe pastaj të jeni të sigurt që edhe shumica e dërrmuese e qytetarëve do të jenë më të përgjegjshëm, sepse do ta shohin që dikush vërtetë mundohet, por kur plehrat mblidhen e bëhen pirgje, edhe nuk shfaqet njeri tre ditë, atëherë, gjëja e parë që i vjen instinktivisht edhe njeriut më të edukuar, është t’i bashkohet pirgut të plehrave. Çdo grumbull plehrash thërret më shumë plehra. Çdo hapësirë e pastër shtyn plehrat, kjo është logjike. Është shumë më e vështirë të hedhësh plehra në një hapësirë të pastër, sesa t’i hedhësh në një grumbull me plehra dhe thua ‘’hajde, se kështu është këtu’’.
– Vlora është e vështirë, juve shpesh ju vijnë mesazhe nga Vlora apo jo? Vetë e keni thënë.
Kryeministri Edi Rama: Ç ‘punë keni ju me mesazhet që më vijnë mua, unë habitem. Sikur po ju vijnë juve mesazhet. Mua më vijnë dhe unë i pres me krahë hapur.
– Dhe ju bëni mirë që dhe i ballafaqoni mesazhet që ju vijnë.
Kryeministri Edi Rama: Jo mo, mesazhet mua më vijnë dhe unë i përcjell për t’i trajtuar. Tani çfarë të bëj unë që unë i përgjigjem të gjitha mesazheve dhe ua përcjell bashkëpunëtorët mi dhe ka nga bashkëpunëtorët mi që nuk kujtohen, as ta marrin telefon tjetrin, t’i thonë, ‘’shiko se më erdhi ky mesazh që i keni çuar kryeministrit dhe ne po e trajtojmë’’. Por që unë i trajtoj të gjitha, i trajtoj të gjitha mesazhet.
– Përfundon brenda këtij viti ristrukturimi i administratës?
Kryeministri Edi Rama: Po, kjo nuk është çështje afatesh Kështu, ky është një proces që do të bëhet me kujdes, do të bëhet me përkushtim, do të bëhet me dashamirësi maksimale dhe mund të përfundojë edhe për dy javë, mund të përfundojë edhe për dy muaj. Nuk është ky problemi, problemi është të bëhet në mënyrë sa më dinjitoze dhe rigoroze dhe që të kemi prurje të reja në shërbim të qytetit të Vlorës.
-Dhe diçka të fundit, sa e vështirë apo sa e lehtë ishte për ta bindur Genc Deromemaj, drejtor të Kadastrës.
Kryeministri Edi Rama: Tani ti po bën humor si vlonjat, edhe këmbë mbi këmbë. Do edhe ndonjë gotë raki, që ta bëjmë tamam muhabetin. Jepja, kush ka pyetje?
– Përshëndetje! Megjithëse e mirëpritur kjo lëvizje me një impuls pozitiv dhe e përkrahur nga deputetët dhe nga shumë qytetarë, mendoni se është e tepërt, sepse duke bërë këtë lëvizje keni nëpërkëmbur autoritetin e institucionit të Bashkisë dhe është një lëvizje e cila injoron institucionet që duhet të merren dhe nuk krijon një dinamikë të brendshme, por një ndërhyrje të jashtme dhe mund të prishë shumë ekuilibra. Dhe a do jetë kjo lëvizje vetëm në Vlorë apo do të jetë një lëvizje e cila do të vazhdojë në të gjithë Shqipërinë?
Kryeministri Edi Rama: Tani ti ke hallin, se u nëpërkëmbë godina e bashkisë?
– Jo, kam hallin e nëpërkëmbjes së institucioneve, jo të godinës së bashkisë.
Kryeministri Edi Rama: A do më lësh të flas? Unë e mora pyetjen tënde, më lër të përgjigjem. Ça ke? Ti ke hall se u nëpërkëmb institucioni i bashkisë, kurse unë kam hall që institucioni i bashkisë nëpërkëmb gjithë Vlorën çdo ditë. Kështu që unë jam të zgjidhet kjo e dyta, pastaj nëpërkëmbjen e institucionit e trajtojmë në një kohë të dytë, po institucioni është aty për gjithë qytetarët e Vlorës dhe qytetarët e Vlorës ndihen të nëpërkëmbur nga institucioni, nga indiferenca, nga tangërllëku i shumë ‘’bajraktarëve’’ të atij institucioni, nga fakti që edhe pse shërbimet nuk janë ato që qytetarët dëshirojnë. Ata njerëz vazhdojnë të rrinë aty, siç tha kolegia. Kolegia tha që ata kanë tridhjetë vjet aty. E ekzagjeroi pak po nuk është çudi që dikujt tjetër i duket se kanë 300 vjet aty. Kështu që, kjo është si ta shikosh. Unë nuk mendoj që institucioni i bashkisë është nëpërkëmbur në këtë rast, por në qoftë se ndihet i nëpërkëmbur, duhet të kuptojë që është koha që të ndiejë për një moment ai institucion se si ndihen qytetarët e Vlorës çdo ditë nga mungesa e shërbimit konstant.
– Si i fituat zgjedhjet, zoti Kryeministër, nëse është situata kështu? Vlora ka dalë shumë mirë. Në qoftë se…
Kryeministri Edi Rama: Do më lësh të flas unë se si i fitova zgjedhjet?
– Po të ndihmoj.
Kryeministri Edi Rama: Po me ndihmon? Pse më sheh në hall mua tani që do të ndihmosh? Më sheh në hall.
– Jo, nuk të shoh në hall, por po e zhvillojmë në formë bisede.
Kryeministri Edi Rama: Po kush tha ta zhvillosh në formë bisede, apo meqë jemi këtu?
-Meqenëse na thërritët.
Kryeministri Edi Rama: Po s’është bisedë kjo, kjo është pyetje-përgjigje. Më lë të mbaroj unë përgjigjen tani. Pse e keni këtë zakon? E thashë përpara që Vlora nuk krahasohet me ç’ka qënë. Problemi është që kemi pikërisht se kemi marrë 9 mandate këtu në Vlorë, edhe gjërat që mund të ishin të falshme, tani janë të pafalshme. Është shumë e thjeshtë. Edhe gjërat që mund të ishin të falshme, tani janë të pafalshme. Ti meqë jeton në Vlorë, ke dëgjuar atë shprehjen që kur vjen Edi Rama pastrohet Trans-Ballkanikja?
– Jo.
Kryeministri Edi Rama: S’e ke dëgjuar. Ti punon në bashki apo?
– Jetoj në Fier.
Kryeministri Edi Rama: A, jeton në Fier? Domethënë ti nga Fieri i sheh këto, domethënë ti nga Fieri ke hall se po nëpërkëmbet bashkia e Vlorës? Po në Fier, mezi presin të nëpërkëmbet bashkia e Vlorës.
– Po në Fier pse? Po bashkia e Fierit ose bashkitë e tjera në Shqipëri? Do të jetë kjo, do të zhvillohet në të gjithë Shqipërinë apo është specifik vetëm për Vlorën?
Kryeministri Edi Rama: Ti qenke tamam fierak mistrec, nuk të lë të mbarosh. Tani, duhet të kesh parasysh një gjë, unë me Vlorën kam një fiksim më vete, sepse edhe Vlora ka fiksim me mua. E kupton? Është reciproke. Në Fier unë kam ardhur, vij, do vij dhe nesër, mos gabohem, do jem në Fier, në bashkinë e Fierit, meqë e ke merak, po në Vlorë, në Durrës, në Tiranë, kam qenë edhe jam si të thuash borxhli, edhe si deputet. Është dhe kjo pjesë brenda dhe unë besoj që të qënit deputet është një gjë shumë e madhe. Unë personalisht, më shumë sesa të qënit kryeministër, në aspektin e faktit që të japin njerëzit një besim, duke të veçuar nga gjithë të tjerët. Dhe prandaj shpresoj që 83 mandatet të të rrinë si çekan në kokë të çdokujt nga ne, që është një besim shumë i madh. Tani si e morëm këtë besim? E morëm këtë besim për një arsye që unë e kam shpjeguar shumë herë, po ti s’do kesh dëgjuar, që ne nuk jemi më të mirët, po më të mirë se ne nuk ka, kupton? Kështu që prandaj e morën këtë besim, por nga ana tjetër, duhet të jemi të vetëdijshëm që nuk kemi më të mirët. Kështu që duhet të bëhemi më të mirë. Duhet të luftojmë që të bëhemi më të mirë. Nuk do të arrijmë dot ndonjëherë, por do t’i afrohemi. Kuptove?
– Përshëndetje, ashtu siç thatë edhe ju, shumë drejtues, kanë pasur një indiferencë totale në drejtim të qytetarëve, ndër drejtuesit e rinj, a mund të ketë një komision, siç do të jetë përzgjedhja, të ketë edhe një komision për kontrollin e punës së tyre? Dhe e dyta Vlora, sidomos edhe këtë vit, ka një numër jashtëzakonisht shumë të lartë turistësh të huaj. Vjet kishim spanjollët, sivjet kemi francezët pra, është e mbipopulluar gati që në muajin maj, por ka një mungesë të theksuar të sinjalistikës në gjuhën angleze. Duket si një pyetje thjeshtë, por kjo lidhet drejtpërdrejt me pjesën e turizmit dhe kemi parë që ka ankesa përsa i përket kësaj pjese. Bashkia dhe institucionet e reja mund ta kenë prioritet pjesën, qoftë jo vetëm të sinjalistikës, por edhe të punonjësve të saj që flasin gjuhë të huaja.
Kryeministri Edi Rama: Jeni marrë me, jeni marrë më shumë dhe jeni marrë ju dhe ndoshta sepse bën edhe më shumë lajm kjo historia e largimit të të gjithë drejtorëve, por në ndërkohë kemi ngritur disa grupe pune. Një grup pune do të merret pikërisht me ristrukturimin e bashkisë. Pra, me një analizë të gjithë strukturës, edhe me rekomandimet përkatëse, se si dhe këtu është përfshirë edhe ministri i Shtetit për Pushtin Vendor dhe natyrisht edhe drejtuesi ynë këtu në qark ka një eksperiencë të gjatë me pushtetin vendor. Kështu që i kemi të gjitha burimet njerëzore të nevojshme për të pasur një analizë dhe për të ditur ekzaktisht se çfarë do duhet bërë nga pikëpamja e funksionimit të institucionit.
Dhe mos harroni një gjë, që reformimi i një institucioni nuk ndodh një herë në 100 vjet, është pjesë e natyrshme e ekzistencës së institucionit. Mos harroni edhe një gjë tjetër, që jemi pikërisht në kushtet kur duhet ta çojmë më lartë Vlorën, por ama e kemi nisur nga kushtet kur në Vlorë, aty te Lumomare, që sot flasim për vazot mund të bie në gropë edhe të të humbje edhe po të ishe dy metra si puna ime. Se ti për shembull ke shpëtuar ngaqë ke njohur, ke ditur ku janë gropat, se ty do të kishim qarë me kohë ne.
Kështu që kemi ngritur edhe një tjetër grup pune për sa i përket urbanistikës. Nga ana tjetër, si qeveri jemi duke punuar për një skemë të re të shërbimeve të urbanistikës, sepse ka dhe një problem burimesh njerëzore, nuk flas për Vlorën në këtë rast, po flas përshembull për Himarën, që është një bashki që ka shumë të ardhura por është një bashki të vogël dhe burimet njerëzore i ka shumë të kufizuara, etj.
Kështu që është një proces pune kompleks, nuk është absolutisht vetëm në Vlorë. Problemi i hapësirave publike është i madh në Tiranë. Besoj se e keni parë që edhe në Tiranën e kemi filluar të njëjtin proces. Edhe në Tiranë janë angazhuar të gjithë deputetët dhe të gjithë ata që ishin në listën e 11 majit për të shkuar dhe për të folur me banorët dhe për të parë situatën. Nuk është thjesht çështje lirimi dhe pastrimi, por është çështje e ndërhyrjeve që do bëjmë më pas. Do të angazhojmë të gjithaë arkitektët e huaj me të cilët ne punojmë dhe nuk janë pak, dhe ata janë treguar të gatshëm për të bërë projekte për hapësirat komunitare, projekte pa pagesë, si kontribut për qytetet tona.
Nesër do të shkojmë në Fier, do të shkojmë edhe në Durrës, do të shkojmë edhe në Shkodër apo në Elbasan, ku janë edhe problematikat më të mëdha, por ky është proces i gjithi, nuk mbaron asnjëherë nevoja për ta përmirësuar qytetin dhe për ta përmirësuar administrimin e qytetit. Kështu nuk është se e pamë tani dhe u zgjuam befas, por gjithmonë ka një moment kur akumulimi sjell nevojën për ndërhyrje.
– Përshëndetje! Po flasim për zaptimin e hapësirave publike. Ju në tetor të vitit të kaluar shpalosët edhe një nismë e quajtur Reforma në Turizëm, e cila parashikonte më tepër hapësirë të lirë për qytetarët në plazhet e qytetit të Vlorës. Ndërsa nga një inspektim, edhe në bazë të shifrave, situata e plazheve private është thuajse si një vit më parë.
Kryeministri Edi Rama: Jo, e ke inspektimin të gabuar.
– Pse dështoi reforma në turizëm është pyetja e parë, dhe e dyta ka patur goxha afrime nga Partia Demokratike në Partinë Socialiste, a është kjo një nisëm ndoshta e juaja personale për goditur dhe Partinë Demokratike lokale, por edhe në përgjithësi? Dhe një pyetje të fundit ka të bëjë kryesisht me fushën e vendgrumbullimit të mbeturinave, e cila është kthyer në gangrenë në lagjen 24 maji. Çfarë do ndodhë? Faleminderit.
Kryeministri Edi Rama: Të vrazhdë e paske zërin, vlonjat tamam. E para është e pavërtetë ajo që the, sepse ka një zgjerim të ndjeshëm të hapësirave të plazheve publike në të gjithë bregdetin, edhe Vlorën, dhe unë, dhe qëparë i pashë. Por, siç duket në të gjitha hapësirat e plazheve, janë shumë më pak të populluara se sa hapësirat e tjera. Megjithatë kjo është zgjedhje e lirë e qytetarëve, ama nuk mund të ketë dot një qytetar sot në Vlorë, apo në Durrës, apo në Lezhë, apo kudoqoftë që thotë, nuk kam vend ku të shkoj, se më del privati s’ka. Janë hapësirat, kuadratet e mëdha dhe janë relativisht të lira, relativisht apo jo? Është kështu apo jo? Nuk të rezulton? Po mirë hajde po shkojmë bashkë të dy t’i shohim, ose më jep ti gjyzlykët e tua ta shoh unë, se ndoshta nuk i shoh mirë.
E dyta është përsa i përket goditjes së Partisë Demokratike. Nuk e kuptoj pyetjen fare se që ne të godasim Partinë Demokratike është pjesë e përshkrimit të punës që kemi, pra nuk është se po godasim një të moshuar apo ndonjë të pambrojtur në rrugë. Godasim një kundërshtar. Po në këtë rast, nuk është se ne kemi goditur, se nga goditja zakonisht njerëzit largohen, nuk afrohen. Në këtë rast, kemi pasur shumë afrime nga Partia Demokratike e Vlorës dhe duam të kemi edhe më shumë. Kështu që i them të gjithë atyre që ndjehen se mund të japin diçka që të mos ngurrojnë fare të vijnë në këtë procesin e konkurrimit, edhe ne nuk do ngurrojmë fare në rast se do të jenë profesionistë që do të jenë bindës për atë që mund të ofrojnë dhe është akoma sfiduese, sepse këtu në Vlorë ata të Partisë Demokratike s’kanë fituar kurrë. Edhe është mirë t’ia japim mundësinë që t’i themi më mirë, mbasi ke thënë si bëhet, edhe u plake duke thënë si bëhet, hajde, bëje dhe na e tregove ne se si ta bëjmë, edhe ndoshta i bëjmë më mirë gjërat bashkë, besoj.
Përsa i përket çështjes së mbetjeve, çështja është e lidhur me funksionimin e Landfillit, dhe vënia në funksionim të plotë e Landfillit do të shpëtoj edhe Vlorën nga kjo pjesa tjetër që janë të qëllimshme, janë të paqëllimshme kjo nuk ka shumë rëndësi në fund të ditës, rëndësi ka që e qëllimshme e paqëllimshme ka zjarre, dhe zjarri është problem. Edhe përsa i përket mbetjeve, ne jemi duke punuar për një skemë të re që shpresoj ta vëmë në jetë në mandatin e katërt.
Mirë, ju falënderoj shumë. Besoj që u ezauruan të gjitha pyetjet, edhe nga Vlora dhe nga Fieri, kështu që ju uroj çdo të mirë!
Top Channel