
Ilirian Rusmajli mbërriti pari nga anëtarët e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve për të dhënë vendimin pas rinumërimit të pjesshëm të kutive të votimit për Elbasanin, Tiranën, Durrësin dhe Fierin.
Megjithëse rinumërimi është një kapitull i mbyllur dhe nga panorama e mandateve të prodhuara më 11 Maj u shkaktua vetëm 1 ndryshim mandati brenda PS në qarkun Fier, PD ngulmon për pavlefshmëri absolute në këto 4 qarqe.
Marash Logu përfaqësues i PD në KQZ renditi fillimisht 27 qendra votimi me probleme në qarkun e Elbasanit dhe më pas për tre qarqet e tjera në mbështetje të pretendimit për ribërje zgjedhjesh.
KAS pasi të ketë dëgjuar pretendimet e palëve për këto katër qarqe vendimmarrjen e ka rezervuar për në pasditen e kësaj të hëne.
Aulon Kalaja kandidat i PD në Durrës bashkë me disa mbështetës, zhvilloi një tjetër protestë kësaj here përpara KQZ, me kërkesën për numërimin e të gjitha kutive në këtë qark dhe jo të pjesshëm siç ndodhi.
Pas një sërë pyetjesh nga gazetarët Aulon Kalaja, pranoi se përpjekja e tij për transparencë të votës preferenciale, u minua nga brenda forcës së tij politike, paçka se procesi rinumërimit u mbështet nga Sali Berisha.
“PD duhet të mbështeste rinumërimin e plotë të Durrësit”, thekson Aulon Kalaja.
Megjithatë beteja e Aulon Kalasë nuk ndalet këtu.
Me aq parregullsi sa u gjetën nga rinumërimi i pjesshëm i Durrësit ai do ti drejtohet me një kallëzim SPAK për numëruesit tjetërsues të votës në favor të një kandidati tjetër të PD-s.
Top Channel