“Iku koha e deputetëve që jepnin zgjidhje të problemeve nga kafeneja”, Rama në Vlorë: Dilni në terren!

07/07/2025 11:48

Kryeministri Edi Rama dha disa porosi për deputetët në bashkinë e Vlorës, aty ku zhvilloi një tjetër vizitë brenda pak ditëve.

Ai u shpreh se të gjithë duhet të dalin në terren dhe të takojnë qytetarët.

Rama: Ka ikur koha e deputetëve të cilët japin zgjidhje të problemeve nga kafeneja, duhet që ata të dalin në terren dhe t’u shërbejnë qytetarëve.

Problemi i hapësirave publike është një problem që po trajtohet në terren. Nuk ka tendencë për t’i zënë frymën bizneseve, tendenca është që të harmonizohen interesat e të dyja palëve, biznesit dhe qytetarëve.

Zaptimi i trotuarit është i papranueshëm. Trotuari duhet të jetë i dedikuar vetëm për këmbësorët. Të gjithë njësitë e shërbimit në Lungomare do të kenë një dizajn të ri për të harmonizuar nevojë dhe interesin e tyre. Problematika e zënies së hapësirës publike është në çdo rrugë dhe në çdo rrugë do të veprohet.

Problemi tjetër i Vlorës janë parkimet. Kemi filluar punën për dy parkime publike dhe do të hapim të tjera investime në vijëmësi, por kjo gjë nuk justifikon parkimin në kundërshtim me ligjin duke zënë hapësirën e këmbësorëve. Policia rrugore do të jetë shumë e ashpër në këtë drejtim.

Problemi i ujit të pijshëm është një tjetër problem i adresuar. Për shkak të ngarkesës që ka qyteti në këtë periudhë dhe për shkak të investimeve. Çfarë kemi konstatuar është një keqmenaxhim vitet e fundit i ujësjellësit të Vlorës në këtë drejtim. Ka një abuzim madhor për konsumimin e ujit të pijshëm për të vaditur bahçet dhe tokat bujqësore. Ministria po përgatit një paketë për ta reformuar këtë sektor me qëllimin përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm kryesisht në zonat turistike.

Top Channel